Terroristi që erdhi si refugjat

 

Në mbarë Europën, të gjithë e ndjejnë se ajo që ndodhi në Paris mund të ndodhte kudo.

Frika është shtuar akoma më shumë, pasi të paktën një prej terroristëve mendohet se është regjistruar si refugjat.

Ai kishte mbërritur në Francë përmes Greqisë.

Autoritetet e vendit fqinj kanë konfirmuar se mbajtësi i pasaportës, që u gjet në vendin e ngjarjes, ishte regjistruar më 3 tetor në ishullin Leros si refugjat.

Ai kishte mbërritur atje nga Turqia.

Emri i tij nuk bëhet ende i ditur.

Ai mendohet se është sirian dhe pasaporta iu gjet pranë trupit të një prej terroristëve të vdekur.

Kur kanë kaluar më shumë se 12 orë nga atentatet që tronditën Francën e më gjerë, ende nuk ka informacione të sakta mbi atentatorët.

“Ishin të bardhë, të rinj rreth 25 vjeç” dhe “dukeshin si ushtarë të forcave speciale”, janë disa nga informacionet e publikuara në media të ndryshme online.

Nga të dhënat e konfirmuara dihet vetëm se, 8 prej tyre kanë vdekur, 6 janë hedhur në erë, 2 janë vrarë nga forcat speciale gjatë ndërhyrjes.

Por nuk përjashtohet që të ketë pasur edhe të tjerë që mund të jenë arratisur dhe policia po i kërkon.

Nga disa dëshmi të mbledhura nga gazeta “Le Monde” flitet për dy makina të zeza, të drejtuara nga dy të rinj rreth të njëzetave, njëra prej të cilave e regjistruar në Belgjikë e që tashmë është gjetur.

Por bëhet fjalë për të dhëna që nuk kanë gjetur ende konfirmim. Të dhëna të tilla sugjerojnë se tre nga atentatorët e Parisit janë shtetas belgë dhe vijnë nga lagjia Molenbeek e Brukselit, e njohur për një operacion anti-terror të zhvilluar më herët gjatë vitit.

Për rrjedhojë, një operacion i gjerë po zhvillohet nga policia belge në Molenbeek-Saint-Jean, periferia perëndimore e kryeqytetit.

Sipas televizionit lokal RTBF, që citon burime të rezervuara, agjentët po kryejnë tre bastisje të njëkohëshme në zonën në fjalë dhe një individ është arrestuar.

Ndërsa kanali Europe 1 raporton për identifikimin e një atentatori të dytë.

Bëhet fjalë për një shtetas francez të identifikuar nga gjurmët e gishtave.

Kamikazi ka lindur në lagjet periferike pariziene, ishte rreth 30 vjeç dhe ishte një personazh i njohur për shërbimet sekrete.

Ndërsa gazeta “Le Parsien” flet edhe për praninë e një gruaje mes atentatorëve në Bataclan.

Gjithësesi bëhet fjalë ende për hipoteza, ndërkohë që autoritetet po analizojnë gjurmët e ADN-së të gjetura në vendet e ngjarjeve dhe gjurmët e gitshtave të vrasësve.

Ndërsa BBC, që citon burime pranë qeverisë britanike, raporton se atentatorët ishin një celulë e vetorganizuar që ishte kthyer në Francë nga Siria.

Sipas rrjetit britanik, tek një nga kamikazët është gjetur edhe një pasaportë egjiptiane.

SHKARKO APP