Terrorizmi, Rama dhe Lubonja “përplasen” në mediat italiane

 

Gazeta italiane “Il Foglio” gjatë një reportazhi me titull “Rruga e luftëtarëve të huaj italian kalon nga Shqipëria”, ka preferuar të intervistojë kryeministrin Edi Rama dhe analistin Fatos Lubonja.

Ata janë pyetur për problemet që afrojnë Shqipërinë me islamin radikal.

 “Nëse këto ide radikale kanë gjetur vend në mendjet e njerëzve që jetojnë në Suedi dhe Norvegji, nuk mendoj se duhet të befasohemi nëse gjejnë hapësirë dhe në një vend të vogël dhe të prapambetur”, është shprehur kryeministri Edi Rama.

“Përgjigja për radikalizmin islamik është zhvillimi ekonomik, por edhe ai kulturor,” – ka shtuar ai.

Pavarësisht se janë rritur masat anti-terror, Rama beson se terrorizmi luftohet vetëm duke vepruar mbi shkaqet sociale dhe ekonomike që e shkaktojnë atë.

Për këtë Edi Rama flet shpesh për progresin që ka bërë vendi i tij në këto fronte.

“Sot, – thotë ai, – “vendi ka një demokraci të qëndrueshme me rritje ekonomike dhe një popullsi të re dhe të edukuar.”

“Por si e matim progresin e vendit tonë?”, pyet Fatos Lubonja nga një lokal në Firence, qytet ku kalon pjesën më të madhe të vitit.

“Të rinjtë vazhdojnë të largohen nga vendi dhe oligarkët në pushtet janë zgjatimi natyral i regjimit komunist”, thotë ai.

Këtë regjim Lubonja e njeh mirë, nënvizon media italiane, pasi Lubonja u dënua bashkë me babën e tij dhe kaloi 17 vite në burgjet e diktatorit Enver Hoxha.

Sipas Lubonjës, Rama dështoi të mundte oligarkinë në pushtet dhe çdo ditë e më shumë vendi po i afrohet Kosovës dhe jo Evropës.

“Mes dy alternativave të lindjes së një lëvizjeje për të protestuar ndaj oligarkisë si Syriza dhe lindjes së një lëvizjeje fetare si AKP, unë shoh më të mundshme këtë të fundit”, shprehet Lubonja.

SHKARKO APP