Testet e ADN-së, policia i beson privatit dy aparaturat e analizimit genetik

Vuajtjeve nga vonesat e nxjerrjes së shpejtë të testeve të ADN-së për personat e arrestuar, si të dyshuar në krime të rënda, duket se po i vjen fundi.

Policia e Përgjithshme e Shtetit, ka hapur një procedurë tenderuese me vlerë 129 milion lekë të vjetra, me qëllim mirëmbajtjen për një periudhë 3 vjeçare të mirëmbajtjes së dy aparaturave që kryejnë analizimin gjenetik të të dhënave biologjike.

Shpesh herë vonesat në mos-zbardhjen në kohë të profileve të AND-së kanë sjellë dështimin e dosjeve të rëndësishme penale.

Ndërkohë që shkak për këto vonesa janë bërë herë pas here dhe mungesa e reangentëve biologjike.

Tashmë policia e Shtetit, kërkon që këtë shërbim t’ia besojë një kompanie private me qëllim mirëmbajtjen e dy aparaturave që kryejnë në kohë të shpejtë analizimin e të dhënave biologjike, nga ku del profili gjenetik i personit.

“Ora News”, mëson se tenderi për t’ia besuar privatit këtë shërbim, është hapur në datën 27 Maj 2021 dhe mbyllet në datën 14 qershor 2021.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga “Ora News” thuhet se:”…mirëmbajtja parandaluese do të kryhet të paktën një herë në vit dhe do të shoqërohet me raportin përkatës. Mirëmbajtja për verifikimin e gjendjes se aparateve do kryhet sa herë të ndërrohen kapilarët, mesatarisht njëherë në 3-4 muaj, në varësi të sasisë së punës së kryer me këto aparate shoqëruar me raport pranimi të nënshkruar nga të dyja palët…”.

Gjithashtu për çdo rast defekti të konstatuar nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore, në dy aparatet 3130 Genetic Analyzer dhe 3500 HID Genetic Analyzer, të shoqërohet me raport pranimi. Ndërkohë në një tender tjetër Policia e Shtetit, kërkon t’i besojë një laboratori privat analizat biologjike për të gjithë personat e arrestuar apo të shoqëruar në vend.

Për këtë shërbim Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në dhjetor të 2020 hapi dhe më pas anuloi, një tender me vlerë 320 milion lekë të vjetra, ku kërkon të lidhë një marrëveshje 12 mujore me një laborator privat.

Shërbimi që policia po tenton ti japë privatit deri tani është kryer nga Instituti i Policisë Shkencore dhe Mjekësia Ligjore. Laboratori sipas kritereve të tenderit, duhet të kryejë analiza biologjike të personave të ndaluar dhe arkivimin e tyre në një database të posaçme që më pas do të përdoret nga policia kriminale në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. /Ora News

SHKARKO APP