Testet e shpejta, Rakacolli: Qëndroni në kontakt me mjekun e familjes
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, ka folur për testet e shpejta, ku informon se epidemiologët janë në terren dhe sipas gjurmimit epidemiologjik, po kryejnë testimet. Nga ana tjetër, ajo tha se qytetarët duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes që të këshillohen në mënyrën e duhur për trajtimin ambulator në kushte shtëpie.
”Është shumë e rëndësishme që qytetarët të kontaktojnë me mjekun e e tyre të familjes që të këshillohen në mënyrën e duhur për trajtimin e ambulator sipas shenjave të lehta ose të moderuara. Është mjeku i familjes i cili do të rekomandojnë përdorimin e terapive të mjekimit, nga të cilat më pas qytetarët mund të përfitojnë edhe rimbursimin e tyre”, tha Rakacolli.
Rakacolli më tej u shpreh se familjarët komunikojnë me pacientët e shtruar në spitale dhe ka një organizim të mirëfilltë për dhënien e informacionit. ”Komunikimi me familjarët është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe organizimi i komunikimit familjar është prioritet. Informacioni është i organizuar që jepet të paktën një herë në ditë, mjeku komunikon gjithmonë me familjarët, përveç kësaj është organizuar edhe një pjesë koordinimi tek Spitali Infektiv dhe të gjithë pacientët janë me celularët, mjekët dhe infermierët janë me tabletat dhe komunikimi me familjarët për gjendjen e pacientit është i organizuar”, nënvizon Rakacolli.
Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve për pandeminë e Covid-19, u ka bërë apel qytetarë që gjatë festave të tregohen të ndërgjegjshëm për të shmangur grumbullimet, duke mbajtur maskën dhe duke u kujdesur për higjienën personale.