Tetori rozë, Gjiknuri thirrje grave dhe vajzave nga Elbasani: Kryeni kontrollet shëndetësore falas
Në kuadër të Tetorit Rozë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri zhvilloi sot një takim me gratë socialiste në Elbasan. Gjatë fjalës së tij, Gjiknuri që është njëkohësisht dhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan u bëri thirrje grave dhe vajzave që të kryejnë kontrolle periodike për diagnostikimin e hershëm të kësja sëmundjeje.
“Mundësitë sot janë dhe ky Tetor sensibilizues, s’duhet të jetë vetëm në Tetor, duhet të jetë një thirrje e përhershme për gratë, për nënat, për motrat tona. Sa më shumë të shkojnë. Vizita bëhet falas. Objektivisht është e mundur kudo. Më erdhi mirë që Elbasani qenka një nga qarqet që ka më shumë vizita në këtë drejtim. Do të thotë që sensibilizimi ka funksionuar. Bëjeni për veten tuaj, mos e bëni për ne. Ne patjetër do të shkatërrohemi pa partneret tona në krah, por çfarë vlere ka familja, po nuk ishit ju. Ua them shumë sinqerisht. Ju jeni ata që mbani familjen, ju jeni gjithçka. Mbi të gjitha ne politikanët duhet të jemi njerëzorë”, tha Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve nënvizoi se mosballafaqimi me të vërtetën është zgjidhja më e gabuar. Gjiknuri nënvizoi se gratë dhe vajzat duhet të kenë kurajon dhe të kryejnë vizitat për të kapur në kohë sëmundjen dhe për ta fituar betejën.
“Shpesh herë njerëzit nuk duan të shkojnë te mjeku, kujtojnë se duke mos u ballafaquar me të vërtetën shpëtojnë veten e tyre. Kjo është të mos kesh kurajo. Kjo është ti bësh shërbimin më të gabuar vetes tënde. Mundësitë sot janë që gratë të shkojnë të vizitohen, të kujdesen për veten e tyre, sepse në fund të fundit, çfarë rëndësie kanë para shëndetit gjërat e tjera? Po nuk gjete pak kohë për veten tënde, nuk je për asgjë tjetër. Unë këtë e shoh si testin e parë personal me çdo njeri, e kam testin e karakterit, duhet të jetë i kujdesshëm për veten e tij, të ketë kurajo dhe të kujdeset për veten e tij, sidomos nga ana shëndetësore”, tha ai.