Tetori rozë, Manastirliu apel grave: Gjysmë ore nga koha jote, të shpëton jetën

Nis sot tetori rozë, muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, për të rritur ndërgjegjësimin se beteja me këtë sëmundje mund të fitohet. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar një mesazh inkurajues drejtuar çdo gruaje që të bëjnë ekzaminimet për të kapur në kohë kancerin e gjirit.

”Nis sot tetori rozë, muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, për të rritur ndërgjegjësimin se beteja me këtë sëmundje mund të fitohet! Dua të mar pak minuta nga koha juaj për t’i bërë një pyetje të gjitha grave, kudo që ndodhen: kur është hera e fundit që keni kryer një ekzaminim të gjirit. Ashtu sikurse edhe unë, shpeshherë mund të mendoni: do ta kryej javën tjetër dhe java bëhet muaj dhe muaji bëhet vit. Ne gratë shpesh e neglizhojmë kujdesin ndaj vetes. A e dini se 1 në 8 gra rrezikon të preket nga kanceri i gjirit. Ju nuk duhet të keni frikë sepse të kufizosh rrezikun sot është e mundur, duke filluar nga vetëkontrolli i gjirit, është e mundur të diagnostikohesh në kohë dhe diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën. Sot është e mundur të ekzaminohesh pranë vendit ku banon, të bësh mamografinë në spitalet tona në Kukës, Dibër, Korçë, Gjirokastër, Durrës, Tiranë, Vlorë, Berat por nuk ka dallim se ku jeton sepse përmes mamografive të lëvisshme shërbimi ofrohet falas edhe në zonat e thella të vendit”.

Në mesazhin e saj, ministrja thotë se kontrollet ofrohen falas në shërbimin spitalor publik. ”Të dashura gra, motra, nëna, vetëkontrollohuni, kontaktoni me mjekun e familjes për të caktuar pranë poliklinikës, spitalit apo shërbimit të mamografëve të lëvisshëm datën e ekzaminimit të gjirit. Kontrolli i gjirit ofrohet falas, shërbimi shëndetësorë publik. Këtë tetor lë të kujtojmë të gjithë arsyen pse e mbajmë fjongon rozë. Së bashku të rrisim ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit të gjirit. Beteja me këtë sëmundje mund të fitohet vetëm nëse kryhen ekzaminime në kohë. Mos e shty për nesër kontrollin, koha më e mirë është tani, vetëm gjysëm ore nga koha jote të shpëton jetën. Bashkë ia dalim”.

Çdo vit kanceri i gjirit u merr jetën miliona grave kudo në botë. Për të luftuar këtë sëmundje që rrezikon të kthehet në epidemi, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shpallur muajin tetor, si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit. Një fjongo rozë dhe më shumë vëmendje ndaj këshillave të mjekëve, mund t’i shpëtojnë jetën një gruaje të prekur, pasi ky lloj tumori renditet si një ndër të vetmit e kancereve që mund të parandalohet. Kanceri i gjirit së bashku me kancerin e qafës së mitrës përfaqësojnë vrasësit më të mëdhenj ndër kanceret te gratë. Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësish preken moshat mbi 50 vjeç por ka raste të shfaqjes së tij edhe në mosha fare të reja. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm te gratë në mbarë botën i cili ka ardhur duke u rritur veçanërisht në vendet në zhvillim, ku shumica e rasteve diagnostikohen në fazat e vona.

SHKARKO APP