Tetori rozë, mesazhe sensibilizuese mes jetës dhe librit
Tetori i Librit u bashkua sot me Tetorin Rozë në Spitalin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Duke e konsideruar librin si një mik të mirë në kohë të vështira, Ministria e Kulturës dhe ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizuan sot një takim të veçantë me pacientet që kurohen pranë këtij spitali.
“Së bashku me Ogerta Manastirliun ndamë disa momente të ngrohta dhe inkurajuese me Valbonën, Marën, Dritën, Vjollcën të cilat na u bashkuan në këtë takim rreth librit. Faleminderit Vasilika Tafa, Ombra Libri që ndave me ne eksperiencën personale dhe librat motivues që na dhurove”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau pasionin e pacientes Drita e cila sfidën që kaloi me sëmundjen e shprehu në vargje për ekipin mjekësor. “Pasioni i madh i Dritës është poezia! Dhimbjen e trupit dhe të shpirtit, por edhe mirënjohjen, forcën e kurajën si askush, ajo e shpreh përmes poezive të saj. Sapo ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale, ka hedhur në letër vargjet për ekipin mjekësor që, siç thotë Drita, “e bëri të frymojë, i shpëtoi jetën!”, shprehet Manastirliu.