“The Albanian Key” mbërrin në portat e qytetit të Shkodrës

Albert Vataj

Pas një beteje të gjatë idesh dhe risish estetike, përplasje mendimesh dhe shifrash, ndeshjeje epike me çelikun korten, më në fund, “The Albanian Key” ka mbërritur në portat e qytetit të Shkodrës. Gjymtyrët e parë të këtij “përbindëshi” korteni kanë zbritur në hyrje të qytetit në pasmesnatë 14 maj 2024. Vinçat dhe kavot e çelikut, sytë dhe padurimi i dhjetëra punëtorëve, kanë ulur nga makineritë e rënda profilet e kësaj skulpture monumentale. Shkodra është zgjuar sot nën një mal çeliku, me sytë e gozhduar në atë që do të marrë jetë copëz pas copëze, për t’u shndërruar në një reale të imponimit të mesazhit dhe forcës krijuese.

Kanë mbetur orë dhe ditë ende deri në inaugurimin e kësaj vepre. Ekspertë dhe specialistë, artistë dhe krijues janë aty në çdo copëz që do të përputhet, në çdo bulon që do të vendoset, deri në prekjen e magjishme të vetë piktorit dhe skulptorit Milot, i cili do ta bekojë me shpirtje dhe emocion këtë punë të gjatë dhe të mundimshme, këtë sfidë të krenarisë dhe dëshmim të përmbushjes së amanetit.

Skulptura monumentale “The Albanian Key”, vepër e mjeshtrit shqiptaro-italian, Alfred Mirashi – Milot, Fitues i Konkursit Ndërkombëtar “Art në Hapësirën Publike”, shpallur nga ministri e Kulturës, është në aktin sublim të ardhjes në jetë. Vepra konceptuale duke u vendosur në hyrje të Shkodrës, do të jetë gjithashtu pjesë e ansamblit të zgjerimit dhe rikonceptimit që po i bëhet hyrjes së qytetit.

Mbetemi me zemër të ngrirë deri në çastin final, në momentin e të vërtetës, kur puna dhe përpjekja, nervat dhe muskujt e tendosur do të prehen në paqen e përmbushjes së kësaj sipërmarrje gjigande arti.

Nuk mund të mos përfshijmë në gjithë këtë arritje, punën dhe përkushtimin, mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer të kryebashkiakut të Shkodërs, Benet Beci, i cili padyshim meriton falenderim dhe mirënjohje.

SHKARKO APP