“The Economist” shkruan për shkëmbimin e territoreve në Ballkan
E përditshmja britanike ‘The Economist’ i ka kushtuar një shkrim ideve për shkëmbimin e territoreve në Ballkan. Prestigjiozja shkruan se propozimi i autoriteteve serbe për një ndryshim të kufinjve do të ketë impakt të thellë në rajon. Ndryshe mendon presidenti serb Aleksandar Vuçiç, sipas të cilit, të tilla ide nuk janë aspak serioze.
“10 vite më parë Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Shqiptarët që përbëjnë shumicën e popullsisë festuan. Ndërsa serbet, shumica e të cilëve jetojnë në territore të rrethuara, jo”.
Propozimet për një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës janë në qendër të vëmendjes në këtë artikull të ‘The Economist’.
Prestigjiozja britanike shkruan se autoritetet serbe kërkojnë të dikustojnë marrjen e pjesës veriore të Kosovës dhe në këmbim rajonet e banuara nga shqiptarët në Serbi t’i jepen Kosovës.
Por ajo çfarë propozuesit e kësaj harte të re harrojnë, sipas ‘The Economist’, është kohëzgjatja e madhe e këtij procesi dhe ndikimi në mbarë komunitetet e Ballkanit.
Një ndryshim i tillë mund të nxisë një valë referendumesh tek serbo-boshnjakët, kroato-boshnjakët, grekët apo shqiptarët në Maqedoninë veriore dhe Malin e Zi. ‘The Economist’ konkludon se një ri-përcaktim i tillë i kufinjve kombëtarë të Ballkanit do të ishte si të hapje portat e ferrit.
Por krejt i kundërt është qëndrimi i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Në një talk show në rrjetin televiziv serb Happy TV, Vuçiç deklaroi se të tilla ide apo propozime për ndarjen apo shkëmbimin e territoreve nuk janë serioze.
Presidenti u shpreh se ai do të paraqesë një zgjidhje përfundimtare për Kosovën në prill dhe këtë propozim ai nuk do të hezitojë ta bëjë publik.
KOHA JONË SONDAZH

