“Thesi” 6 mld euro i BE nuk hapet pa reforma, Von der Leyen i vë kushte Ballkanit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në konferencën përmbyllëse të procesit të Samitit të Berlinit në Tiranë, vlerësoi Shqipërinë për organizimin duke u shprehur se ka zhgënjyer ata që shpreheshin se ishte e vështirë t’i besoheshin vendit tonë punimet e Samitit.

Shefja e KE-së më tej bëri me dije se ajo çka u diskutua mes liderëve të unionit dhe krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samit, ishte plani i ri për zgjerimin që lidhet fort me shkrirjen e ekonomisë së BE-së me atë të rajonit.

“Pavarësisht këtij optimizmi mbetet shumë për t’u bërë. Duhet t’u japim ritëm reformave të BE. Të rrisim dhe të dyfishojmë potencialin dhe ekonominë për Ballkanin Perëndimor. Duhet të afrojmë ekonomitë tona dhe të nxitojmë reformat për zgjerimin. Plani i ri ka potencialin e zgjerimit të ekonomisë së Ballkanit. Pika e parë e planit është të fusim Ballkanin në tregun e përbashkët. Ballkani Perëndimor duhet të plotësojë tregun e përbashkët rajonal, që do të rriste GPB e tyre me 10%. Duhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të hapen fillimisht ndaj njëri-tjetrit dhe të hapen plotësisht sa i përket ekonomisë”,-tha Ursula Von der Leyen.

Presidentja e KE u kujdes të vendoste një vijë të kuqe për vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket mënyrës si do të thithin investimet dhe përfitojnë nga fondi prej 6 miliardë euro i Bashkimit Europian. Sipas von der Leyen pa u kryer reformat e kërkuara, “thesit” të BE-së nuk do t’i hapet gryka.

SHKARKO APP