Thirrja e fortë e mjekut: Kemi hyrë në javën e tretë, të gjithë mund të prekemi
Në një kohë që kryeministri Edi Rama tha sot se kjo javë do të jetë një ”luftë” e fortë ndaj Covid-19, mjeku Pëllumb Pipero, thekson me të madhe se koronavirusi mund të prekë këdo, edhe ata persona që janë të rinj dhe që janë marrë me sport.
”Kemi hyrë në javën e tretë dhe duhet të mobilizojmë të gjitha forcat dhe të qëndrojmë në shtëpi, ndërkohë që ne mjekët të përqendrohemi të ndihmojmë njerëzit e shtruar në spital. Të gjithë mund të sëmuremi. Eksperienca ka treguar se kanë më shumë komplikacione të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike por virusi nuk përjashton as moshat e reja dhe ata që janë marrë me shumë sport. Sa kohë nuk kemi vaksinë, e vetmja garanci për të ndalur vrullin e epidemisë është qëndrimi në shtëpi. Do pak durim dhe gjithçka do të kalojë më lehtë”.
Nga ana tjetër, përsa i përket shtimit të testimeve, Pipero bën me dije se ”Duhet të kemi më shumë testime, por testime për identifikim, për të gjurmuar rastet e kontaktit. Këtë kam këshilluar dhe këtë kërkoj. ISHP-ja ka gjurmuar 60-70% të rastit të kontaktit dhe kjo, sipas OBSH-së, konsiderohet optimale”.