Thirrja nga Auron Tare: Të riparohen urat mbi Vjosë, janë atraksion turistik për të huajt dhe mundësi për fshatrat
Studiuesi Auron Tare ka një thirrje për institucionet përgjegjëse, që të mos lënë në harresë urat e dikurshme mbi Luginën e Vjosës, të cilat për të janë dëshmi historike e rëndësishme. Tare thotë se për dekada me radhë, urat kanë qënë e vetmja mundësi e komunikimit midis fshatrave në Luginën e Vjosës. ”Të ndërtuara me beton arme, struktura metalike dhe kavo çeliku i kanë rezistuar kohës deri më sot edhe pse të lëna në harresë. Me shumë pak para ato mund të riparohen duke vendosur përsëri dërrasat prej druri dhe zëvendësur ndonjë prej kavove të çelikut. Duke i pastruar dhe hapur shtigjet përsëri ato mund të kthehen në një atraksion turistik për të gjithë ata që do të donin të ecnin në monopatet e Vjosës”,-shkruan në një postim në Facebook.
Postimi i plotë nga Auron Tare
Urat e Dikurshme dhe Zipline i Përmetit. Përgjatë pejsazhit të mrekullueshëm të Vjosës një sy i vëmendshëm mund të shikojë aty këtu disa struktura metalike dhe kavo çeliku që shtrihen nga njëri breg tek tjetri. Të ndryshkura, mes një bimësie të harlisur ato janë një dëshmi historike shumë e rëndësishme. Për dekada me rradhë kanë qënë e vetmja mundësi e komunikimit midis fshatrave në Luginën e Vjosës. Të ndërtuara me beton arme, struktura metalike dhe kavo çeliku i kanë rezistuar kohës deri më sot edhe pse të lëna në harresë.
Me shumë pak para ato mund të riparohen duke vendosur përsëri dërrasat prej druri dhe zëvendësur ndonjë prej kavove të çelikut. Duke i pastruar dhe hapur shtigjet përsëri ato mund të kthehen në një atraksion turistik për të gjithë ata që do të donin të ecnin në monopatet e Vjosës. Me tabela të thjeshta mund të përshkruhet historia e tyre në periudhën komuniste për të treguar komunikimin rural në ato kohëra. Ndërkohë risjellja e tyre për turizmin do të rihapte përsëri mundësinë e kalimit në fshatra përgjatë Luginës.
Por fondet e turizmit shkojnë për gjëra jo vetëm të pa dobishme por dukshëm pa asnjë ndikim në Luginën e Vjosës. Info Pointet e famshme që tashmë kanë filluar të ndryshken janë të braktisura. Një info pont gjigand po ndërtohet në memorien natyrore të Përmetit në atë qe njihen si Guri i Qytetit. Se çfarë roli do lozë ky info point askush nuk di të thotë aq me shumë kur Qyteti ka prej vitesh një info point normal në Qendër.
Fondi shqiptar i zhvillimit ka ftuar nje nga ato studiot e huaja të zhvillojë një projekt për një ZipLine ku njerzia do lëshohet nga një shkëmb i Vjosës për tek ana tjetër e Lumit. Përse njerëzit duhet të provojnë ZipLine edhe në Përmet askush nuk di ta shpjegojë. Ndërko me një të dhjetën e fondeve që harxhohen për kotësira mund të riparoheshin urat prej çeliku të Vjosës jo vetëm si shenja të rëndësishme të trashëgimisë por edhe si tërheqje turistike.
KOHA JONË SONDAZH





