Thirrjet e Escobar drejtuar demokratëve për t’u distancuar nga Berisha, ish-kryeministri: Më shtojnë mbështetjen
Thirrjet e zv/sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar drejtuar demokratëve që të distancohen prej Berishës dhe të mendojnë nëse duan të përfaqësohen nga ai, për të janë thirrje si të pandershme dhe ndërhyrje në punët e brendshme, ndërsa shtoi se ato vetëm i rrisin mbështetjen në këto momente.
”Sa i përket thirrjes që iu bëri institucioneve, unë i them kongresit të ndërmarrë një hetim për të zbardhur të vërtetën për çfarë shkeljesh janë bërë në këtë rast. Sa i përket thirrjes ndaj demokratëve i them se ata kanë në historinë e tyre marrëdhëniet e jashtëzakonshme me SHBA. Demokratët kanë në histori përmbysjen e diktaturës.
Ata u bashkuan me Berishën sepse nuk mund të pranon gënjeshtrën me të vërtetë. Nuk mund të pranonin dorëzimin e sovranitetit dhe delegimin e ndërgjegjes. Një thirrje analoge për fat të keq e bëri Kim në 4-5 mars, e bëri dhe në dhjetor, këto thirrje vetëm sa kanë rritur mbështetjen për Sali Berisha, por janë të pandershme dhe ndërhyrje në punët e brendshme të PD”.