Thoma Jano rizgjidhet zëvendësprokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë

Thoma Jano rizgjidhet zëvendësprokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë, teksa ka qenë i vetmi kandidat që ka shprehur interes.

Sipas njoftimit zyrtar, në mbështetje të Vendimit nr. 218, datë 23.12.2019 të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me nenin 148/b, shkronja “dh” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 39 pika 6 të ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, është zhvilluar procedura e zgjedhjes së Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit 2-vjecar të z. Thoma Jano, i cili ka mbajtur këtë detyrë përgjatë periudhës 30.12.2019 deri në 30.12.2021.

Pas shpalljes së thirrjes për shprehjen e interesit nga Prokurori i Përgjithshëm, për pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm, në mbledhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme të zhvilluar në datë 17 dhjetor 2021 është rizgjedhur me votim unanim kandidatura e z. Thoma Jano për pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm. Z. Jano riemërohet Zëvëndës prokuror i Përgjithshëm me vendimin nr. 132, date 30.12.2021 të Prokurorit të Përgjithshëm.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e prokurorëve të prokurorisë së Përgjithshme dhe duhet të ketë të paktën 10 vjet përvojë si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Z. Jano ishte kandidatura e vetme qe shprehu interesin.

Ai mban postin e shefit të sektorit të përgjimit të komunikimeve elektronike që prej vitit 2006.
Z. Jano ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë shqiptare që prej vitit 1976. Ai ka mbajtur poste drejtuese në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm me një kontribut të spikatur në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Përgjatë periudhës 2002-2004 Z. Jano ka ushtruar detyrën e Zv.Ministrit të Rendit Publik.

Z. Jano është diplomuar si jurist në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Dega Drejtësi, Universiteti i Tiranës si dhe ka përfunduar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Brendshme. Përgjatë karrierës së tij ka kryer programe trajnimi dhe kualifikime të shumta brenda dhe jashtë vendit në institucionet partnere më të rëndësishme.

Z. Jano ka përvojë akademike disavjeçare në Shkollën e Magjistraturës, është autor i disa programeve trajnuese dhe manualeve për oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët për metodikën e aplikimit të mjeteve të posacme të hetimit kundër krimit të organizuar dhe marrëdhëniet e policisë gjyqësore me prokurorinë.

SHKARKO APP