Thrilleri në Astir, ja i riu që mori me qira apartamentin ku u izolua vajza
Mbrëmjen e sotme policia ka identifikuar të riun që kishte marrë me qira ditore apartamentin në zonën e “Astirit”, ku u ngujua për disa orë e reja Sajma Qordja, e që çoi në një operacion të forcave RENEA, pasi vajza pretendoi në telefonatën e saj për forcat e rendit se ishte dhunuar.
I riu është i dashuri i vajzës dhe policia po punon për ta lokalizuar atë. Në pamjet e kamerave të sigurisë, djali dallohet duke lëvizur me një automjet “Audi Q7” të zi me targa angleze, për të cilin po punohet për ta gjetur. Sajma Qordja dhe i riu në fjalë kishin disa kohë që frekuentoheshin bashkë dhe ishin njohur në një lokal të njohur në zonën e Astirit, ku vajza edhe punonte. Ajo kërkoi ndihmë në zonën e Astirit me pretendimin se ishte dhunuar, por pas ndërhyrjes policia ka gjetur dy armë zjarri pistoletë dhe mbetje kokaine në apartamentin ngjitur me atë ku vajza u izolua, që ishte marrë me qira ditore po nga i dashuri i saj.
Banesa ka qenë thuajse e shkatërruar. Kur efektivët kanë trokitur në banesën tjetër, që ishte e reja, ajo ka filluar të bërtasë dhe është kyçur brenda dhe ka lajmëruar policinë, pasi ka menduar se personat në fjalë do e dhuronin. Nga të dhënat e para mësohet se vajza vuan nga probleme të shëndetit mendor. Në vendngjarje ishte edhe babai dhe daja i saj, të cilët po negocionin me vajzën bashkë me negociatorin e RENEA-s, për të hapur derën. Sipas të atit, vajza është rrëmbyer dhe ajo vuan nga depresioni. Pas disa përpjekjesh, një efektiv arriti të futej në banesë nga ballkoni, ndërsa mësohet se e reja është qetësuar.
Armët po këqyren nga ekspertët e kriminalistikës. Apartamenti ku u gjetën armët dhe ai ku qëndronte vajza mësohet se ishin marrë me qira nga i dashuri i saj. Sipas informacioneve që policia ka arritur të sigurojë deri në këto momente, dyshohet se në banesë kanë qenë disa djem, të cilët mendohet se janë larguar para se vajza të mbyllte derën. /A2cnn/