Tifozët maqedonas: Shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur

Derbi kryesor për titull të ligës ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijes i zhvilluar dje në Shkup (1-1) nuk ka kaluar pa incidente, pasi tifozët e ekipit maqedonas kanë kënduar kore raciste kundër tifozëve shqiptarë të ekipit tetovar.

Thirrja tashmë e njohur “Shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur” ishte kënga raciste që ata këndonin kundrejt tifozëve mysafirë, të cilët i sulmuan edhe fizikisht në vazhdim të takimit.

Prezent në këtë takim ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili është fans i Shkëndijes. Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar rrjedhën e kësaj ndeshje.

“Dje isha në ndeshjen vendimtare të kampionatit në mes të Vardarit dhe Shkëndijës në Shkup. Tifozëve të Shkëndijës i ishte ndaluar hyrja në stadium ndërsa aty ishin mbledhur rreth 2 mijë tifozë të Vardarit. Ne ishim rreth 20 shqiptarë, mysafirë të klubit Shkëndija të cilëve udhëheqësia e Vardarit na kishte vendosur në mes të tifozëve të Vardarit”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka thënë edhe se gjatë gjithë lojës këndimet e tifozëve të Vardarit ishin të llojit “shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur”.

“Pasi shënoi Vardari, gjërat u tensionuan edhe më shumë sepse ata e kishin të qartë që aty jemi rreth 20 shqiptarë. Kur filluan të këndojnë se të gjithë maqedonasit të ngritën në këmbë e vërtetuan se ishim shqiptarë. Mirëpo incidenti ndodhi kur Shkëndija shënoi golin e barazimit, ndërsa kryetari i klubit të Shkëndijës u ngrit në këmbë për të festuar. Që nga ai moment, filluan të gjuajnë gjësende në drejtim tonin, duke goditur disa nga personat që ishin aty. Policia erdhi me vonesë dhe u mundua t’i qetësojë por pa sukses. U detyruan të na nxjerrin nga ndeshja për sigurinë tonë”, ka shkruar më tutje kreu i Prishtinës.

SHKARKO APP