Tifozët, Të Drejtat e Njeriut reagojnë për ndeshjen Danimarkë-Shqipëri

Federata e Futbollit të Danimarkës njoftoi gjatë javës së fundit se tifozët shqiptarë nuk do të lejohen të futen në stadiumin e Kopenhagën, më 4 shtator, përveç vendeve të përcaktuara para ndeshjes. Sipas njoftimit zyrtar, kush tifoz me emër shqiptar apo që mban simbole të kombit tonë nuk ka prerë biletë në pjesën e stadiumit që do të jetë në dispozicion të tifozëve kuqezi, nuk do të lejohet të futet në stadium. Tifozët do të kontrollohen një për një. Për tifozët shqiptarë janë vënë në dispozicion 2.150 bileta, sipas rregullores së UEFA-s. Por ka reaguar Instituti për të Drejtat e Njeriut në Danimarkë, duke akuzuar autoritet vendase se kjo është diskriminuese. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Danimarkë dhe nuk mund të pengohen të shohin ndeshjen vetëm sepse ata janë me origjinë shqiptare, ishte reagimi i këtij Instituti. Alarmi është dhënë  nga Nanna Krussa, sipas të cilit “gjithçka varet nga situata.” Por “kur selektimi i tifozëve bëhet nga emri, ky është një problem serioz.” Sipas tij, “ të gjithë duhet të trajtohen të barabartë, pavarësisht etnisë.” Me qindra shqiptarë kanë pushtuar qendrën stërvitore të kuqezinjve në Treviso, ku po zhvillohen përgatitjet dhe me mijëra shqiptarë do të jenë në Kopenhagen në mbështetje të ekipit tonë  kombëtar. Në një përballje ndaj Zvicrës që u zhvillua në Luzernë për kualifikuese e Kupës së Botës Brazil 2014, stadiumi u mbush kuqezi, pasi tifozët shqiptarë kishin prerë bileta në vendet ku duhet të ishin ulur zviceranët. E njëjta situatë pritet të përsëritet më 4 shtator, kjo për faktin se Shqipëria ka mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët e saj, ata vështirë se do të mund të ndalen dot, pa u futur në stadium.

SHKARKO APP