”Tigri” iku, në kafaz mbeti SPAK-u
Lajmi që prodhoi mbledhja 4 orëshe e së martës e Këshillimit të Mandateve ishte konfirmimi i avokatit mbrojtës Henrik Ligori që deputeti socialist, Arben Ahmetaj i cili kërkohet nga drejtësia për t’i vënë prangat, nuk ndodhet në Shqipëri.
Sali Berisha thotë se Ahmetaj ka ikur për azil jashtë vendit, me urdhër të Ramës. ”Arben Ahmetaj tregoi se cila është shkalla e ulët morale, standardi më i ulët i organizatës kriminale të Ramës. Pasi pasuruan veten e tyre, sapo thirren për të dhënë shpjegime, arratisen pa u hyrë ferra në këmbë. Arratisja e tij tregon qartë se ishte rregulluar nga Rama”, tha Berisha.
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari tha në një intervistë televizive se shteti, prokuroria apo gjykata, nuk mund ta parandalonin largimin e Ahmetajt. Ai tha se Ahmetaj nuk mund të arrestohej pa u marrë leje nga Kuvendi dhe më pas nga gjykata për të ekzekutuar arrestin, ndërkohë që Ahmetaj, sipas asaj që thuhet është larguar pikërisht ditën kur kreu i SPAK bëri kërkesë për arrestimin e tij në Kuvendin e Shqipërisë.
Në ekranet televizive të gjithë po flasin për Ahmetajn, që ka nofkën ”tigri” se në çfarë shteti është, ose nëse do të kërkojë azil, ndërkohë që SPAK ka mbetur në kafaz.