Tirana dëbon diplomatët rusë
Përmes një njoftimi në faqen e saj të Facebook-ut, Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi lidhur me qëndrimin e SHBA ndaj Rusisë për helmimin e ish-spiunit Sergei Skripal në Britani.
Sipas njotimit të Ambasadës, SHBA e ndërmori dëbimin e diplomatëve rusë në koordinim me aleatët e NATO-s dhe parnerët kudo në botë.
“Shtetet e Bashkuara e kanë ndërmarrë këtë masë në bashkëpunim me aleatët tanë në NATO dhe partnerët tanë kudo në botë, në përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike të nivelit ushtarak nga Rusia në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, veprimi më i fundit në vazhdën e veprimeve të saj destabilizuese në mbarë botën.”, thuhet në postimin e ambasadës.
Kujtojmë se sot, SHBA urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë ndërsa Gjermania dhe Franca vendosën dëbimin e 4 diplomatëve rusë. Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk deklaroi se 14 shtete të BE-së kanë dëbuar nga vendet e tyre diplomatët rusë, pasi blloku e konsideron përgjegjëse Rusinë për helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury në Britani të Madhe.
Po ashtu në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama paralajmëroi dëbimin e diplomatëve rusë. “Qeveria do të vendosë për dëbimin e disa shtetasve rusë. Ky është një veprim i koordinuar me vendet e NATO-s. Do dëbojmë rusët që kanë shkelur interesat kombëtare”, mësohet të ketë thënë Rama.
Pak minuta më parë, një njoftim i shpërndarë nga Ministria e Jashtme shqiptare konfirmoi dëbimin e diplomatëve rusë.
“Sot, në datë 26 mars 2018, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqiperisë, SHTZ Aleksandër Karpushin, të cilit iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik.”
Top Channel njofton:
Shqipëria nuk mbetet pas Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Europian. Vendi ynë vendosi këtë të hënë dëbimin e dy diplomatëve rusë.
Ata janë Vladislav Filipov, atasheh ushatarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës.
Vendimin e bëri të ditur Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila thirri ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin.
“Ambasadorit rus iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, njoftoi dikasteri i kryesuar nga Ditmir Bushati.
Ky veprim i Shqipërisë është në sintoni me atë të një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë, ndërsa Gjermania, Franca, Ukraina, Kanadaja dhe vende të tjera europiane kanë dëbuar po ashtu përfaqësuesit e Moskës. Më herët gjatë së hënës ishte presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, që bëri të ditur se 14 shtete të BE-së kishin vendosur të dëbonin diplomatët rusë, respektivisht si në vijim: Franca (4); Gjermania (4); Polonia (4); Republika Çeke (3); Lituania (3); Danimarka (2); Holanda (2); Italia (2); Estonia (1); Kroacia (1); Finlanda (1); Letonia (1); Rumania (1). Nga jashtë BE-së, Ukraina (13) dhe Kanadaja (4).
E para që nisi këtë aksion ishte Britania e Madhe, e cila në fillim të muajit dëboi 23 diplomatë rusë. Këto dëbime tashmë kolektive përbëjnë një dëshmi të rrallë solidariteti me Britaninë, që vjen në një kohë kur marrëdhëniet e saj me BE-në janë të tensionuara në lidhje me negociatat për “Brexit”-in.
Rusia, ndërkohë, ka bërë të ditur se do të reagojë në mënyrë proporcionale. Moska mohon të ketë pasur gisht në sulmin mbi Sergei Skripalin dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury të Anglisë jugore, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë në spital në gjendje kritike.
KOHA JONË SONDAZH

