Tirana, e shtrenjtë për një shtëpi
Tirana po bëhet gjithnjë e më pak e përballueshme për shkak të çmimeve të qirave dhe blerjes së apartamenteve kryesisht, pasi rezultojnë më të lartat në rajon. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e fundit të Indeksit të çmimit të Pasurive të paluajtshme për vitin 2020, që e rendit Shqipërinë të tretën në Europë si më e shtrenjta për të blerë një pronë, pas Serbisë dhe Republikës Çeke.
Ekspertët e pasurive të paluajtshme shpjegojnë se kjo mund të zgjasë edhe më shumë vite, për shkak të rritjes së lartë të çmimeve dhe të ardhurave të pakta të shqiptarëve.
Teksa një familje shqiptare nuk mund të kursejë më shumë se 2000 euro në vit, çmimet e apartamenteve shpesh rezultojnë edhe më të larta se kjo shifër për metër katror, duke e bërë të pamundur blerjen e tyre nga një familje me të ardhura mesatare.
Çmimet e apartamenteve në qendër të kryeqytetit janë rritur frikshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave të Collier International ato mund të arrijnë deri në 4000 euro për metër katror.