Tirana jo në hartën e kanabisit, Jaupi: 2020 të jetë viti zero i kultivimit
Një takim sensibilizues është mbajtur këtë të martë në kuadër të masave për parandalimin e kultivimin të kanabisit. Prefektja e qarkut Tiranë, Suzana Jahollari ka vlerësuar punën e Policisë së Tiranës gjatë vitit të kaluar dhe bëri të ditur se falë punës së bërë qarku Tiranë nuk është në hartën e kultivimit të bimëve narkotike. Për të duhet që të rakordohen veprimet mes faktorëve dhe aktorëve, me qëllim që 2020 të jetë viti zero i kultivimit të kanabisit.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Rebani Jaupi ka bërë prezent punën parandaluese që ka filluar që prej muajit shkurt, ku jo më larg se një javë më parë mijëra forca të policisë në të gjithë vendin ushtruan kontroll në territore të mbyllura, si sera, tunele, ish-reparte ushtarake, shtëpi të braktisura, vila me risk e territor të pyllëzuar, me qëllimin e vetëm parandalimin e kultivimit të kanabisit.
Jaupi theksoi se qarku Tiranë nuk është problematik por koordinimi më i mirë i masave mes të gjithë aktorëve përgjegjës do çojë në rezultatin e dëshiruar prej të gjithëve, zero kanabis të kultivuar. Përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë, OSHEE-së, Arsimit, kryepleqtë etj. theksuan faktin se bashkërisht mund të përmbushet me sukses prioriteti kombëtar, i minimizimit drejt zerimit të kultivimit të kanabisit.