Tirana mikpret të rinjtë socialistë nga e gjithë bota/ Gjiknuri: PS është shembulli i përfshirjes të të rinjve në qeverisje

Të rinjtë socialistë nga e gjithë bota janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar mbi sfidat e të rinjve në kuadër të agjendës 2030. Në fjalën përshëndetëse në “IUSY World Council”, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri nënvizoi se PS-ja është shembulli i përfshirjes së të rinjve në qeverisjen e vendit.

“PS-ja është një nga shembujt se si i kemi përfshirë më shumë të rinjtë në qeverisjen e vendit. Qoftë në nivelet më të larta të qeverisjes, qoftë në parti, qoftë në nivelin lokal apo në qeverisjen qendrore. Pse jo për të reflektuar shpirtin që kanë të rinjtë, por dhe shumë nga idetë dhe nevojat që kanë brezat e rinj me qëllim që politika të jetë sa më aktuale për ju. Por pa të rinjtë, nuk ka një të ardhme një vend. Praktikisht e ardhmja e një vendi përcaktohet nga ajo çka bën për brezin e sotëm. Të ardhmen duhet ta parashikoni vetë. Ne duhet t’ju krijojmë kushtet që ju të punoni vetë për të ardhmen tuaj””, tha Gjiknuri.

Ai u bëri apel të rinjve që të bëhen pjesë e aktivizmit politik si një mënyrë për të vendosur vetë për fatet e tyre. “Qeveria jonë, pavarësisht vështirësive dhe sfidave që ka pasur, ka bërë gjithçka që ka pasur mundësi për ta bërë mjedisin shoqëror shumë më të larmishëm dhe shumë më të zhvilluar. Për ta bërë më të atraktueshëm dhe për të rinjtë. Unë them që edhe Bashkia e Tiranës është shembulli konkret se si mund të bëhet mjedisi më i mirë. Ajo që na mbetet ne, është të krijojmë sa më shumë kushte që ju vetë të ndryshoni të ardhmen tuaj”.

Gjiknuri theksoi edhe se emigrimi mbetet një sfidë për të gjithë rajonin e Ballkanit. “Të rinjtë e këtij rajoni kanë të njëjta sfida ashtu si në Shqipëri. Mbi të gjitha është aspekti i emigrimit që ne duhet të bëjmë shumë si politikbërës se si ti përfshijmë të rinjtë qoftë në Shqipëri, qoftë në vende të tjera të rajonit në trenin e zhvillimit të kësaj pjese të rajonit që për mendimim tim është e pandalshme. E ardhmja e këtij rajoni është e mirë, është e sigurt në Europë, por jam i bindur që pa të rinjtë kjo e ardhme do të jetë pak më e vonuar”.

SHKARKO APP