Tirana qendër ballkanike për jetën kulturore dhe turizmin, me emrat më të mëdhenj të hotelerisë

Jeta kulturore dhe artistike e Tiranës ka kryer një kapërcim të jashtëzakonshëm në tetë vitet e fundit, jo vetëm me ndërtimin e infrastrukturës së duhur, por edhe me numrin e madh të aktiviteteve të zhvilluara si kurrë më parë.

Yjet e muzikës botërore që kanë performuar në kryeqytet, si Rita Ora, Dua Lipa, Ermal Meta etj, e kanë kthyer Tiranën në qendrën ballkanike për jetën kulturore dhe turizmin. Amfiteatri i Liqenit të Tiranës, Reja, Shtëpia Muze apo Galeria e Artit të Tiranës, shërbejnë tashmë si qendra gravitacionale të artit dhe kulturës në kryeqytet.

Vetëm Amfiteatri i rindërtuar tek Liqeni i Tiranës ka pritur mbi 1,500 aktivitete që nga hapja e tij. Instalacioni ‘Reja’ e artistit japonez Sou Fujimoto, një vepër arti monumentale dhe një hapësirë moderne për jetën kulturore në qendër të Tiranës, ka pritur më shumë se 600 aktivitete me mbi 10,000 pjesëmarrës.

Për herë të parë kryeqyteti ka dhe një galeri artesh të tij. Vetëm në vitin e parë të themelimit të saj, Galeria e Artit të Tiranës organizoi 50 aktivitete me 8000 pjesëmarrës. Teatri i Metropolit ka zhvilluar më shumë se 400 aktivitete në të cilat kanë marrë pjesë mbi 140,000 artdashës.

Qytetarët, por edhe vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj, kanë një destinacion më shumë për të vizituar në kryeqytet. Shtëpitë ku jetuan dhe punuan për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tyre më të njohura letrare, shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, janë kthyer në muze. Shtëpia Muze e Kadaresë organizon 100 aktivitete dhe 5000 pjesëmarrës në vit, ndërsa Shtëpia Muze e Agollit është në fazë rikonstruksioni.

Organizimi i rreth 2000 eventeve artistike e kulturore në vit vlerësohet dhe si një nga arsyet kryesore se përse mbi 4.5 milionë turistë vizitojnë Tiranën çdo vit. Vitet e fundit Tirana është në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik. Nga viti 2015-2016, kur Tirana vizitohej nga jo më shumë se 100 mijë turistë, brenda 8 viteve numri i tyre arrin në 4.5 milion.

Katërfishimi i numrit të turistëve ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e qytetit.Numri i atyre që janë të punësuar në sektorin e turizmit (hoteleri, shërbime) është rritur me 30,000 ose e thënë ndryshe me mbi 2.3 herë.

Fluksi i lartë i turistëve dhe i atyre që vijnë për punë në kryeqytet ka shtruar dhe nevojë për rritjen e njësive akomoduese. Janë hapur 139 hotele te reja që prej 2016 dhe është rritur me 111% numri i fjetjeve në njësitë akomoduese. Nëse më parë Tirana nuk kishte asnjë brand ndërkombëtar hotelerie në Tiranë, sot kryeqyteti shqiptar ka emra të njohur në të gjithë botën. Hilton, Hayat, MK Group, Melia, Marriot, Maritim, Intercontinental, janë vetëm disa prej markave më të njohura të hotelerisë duke sjellë një standard ndërkombëtar në këtë sektor.

SHKARKO APP