Tirana, Shkodra dhe Hasi, vatrat e “ndezura” të COVID-19

Në 24 orët e fundit u shënuan 16 raste të reja me koronavirus, duke e çuar numrin total të personave të prekur në vend në 377.

Harta e zonave të prekura me COVID-19 u zgjerua në Tiranë, Shkodër dhe Has të hënën, ndërsa numri i të prekurve nga virusi arriti në 377. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha në një deklaratë për mediat se në 24 orët e fundit ishin testuar 176 persona të dyshuar në të gjithë vendin, nga të cilët 16 rezultuan pozitivë.

Të dielën, një tjetër pacient i prekur nga COVID-19 humbi betejën me sëmundjen në spitalin Infektiv në Tiranë. Ish-boksieri Skënder Kurti, 61 vjeç, është viktima e 21-të e koronavirusit në Shqipëri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mes personave të infektuar, 66 po trajtohen në spitalin Infektiv dhe 7 të tjerë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”, i kthyer tashmë në qendrën shëndetësore COVID 2. Njëmbëdhjetë pacientë janë të terapi intensive, ndërsa dy prej tyre në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe të intubuar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në 24 orët e fundit në Shqipëri, vatrat më problematike të përhapjes së koronavirusit janë Tirana, Shkodra dhe Hasi. Në Tiranë numri i të infektuarve shkoi në 177 ose tre raste më shumë se një ditë më parë, ndërsa Shkodra është ngjitur në vendin e dytë me 44 raste të konfirmuara. Në 24 orët e fundit në Shkodër janë zbuluar 6 raste të reja me COVID-19.

Shtim të rasteve të infektuara ka shënuar edhe bashkia e vogël e Hasit, e cila ka tashmë 12 persona të infektuar. Në 24 orët e fundit, tre raste të reja kanë rezultuar pozitivë në Has.

“Nga hetimi epidemiologjik i kryer për zonat e Tiranës, Shkodrës dhe Hasit del se nuk janë respektuar masat e distancimit social dhe të kontrollit të përhapjes së infeksionit. Ministria e Shëndetësisë u kërkon edhe njëherë qytetarëve që masat t’i zbatojnë me rigorozitet edhe brenda rretheve familjare,” tha zv.ministrja Mira Rakacolli.

Nga fillimi i epidemisë, Shqipëria ka kryer 2571 testime gjithsej –nga të cilat gati 15 % kanë rezultuar pozitivë. Partia Demokratike në opozitë ka bërë apel për shtimin e numrit të testimeve, si një mënyrë për të kontrolluar më mirë sëmundjen.

Ndërkohë, rreth 30% e pacientëve në Shqipëri e kanë fituar tashmë betejën me sëmundjen. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 12 persona janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të të shëruarve në 116.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?