Tirana, shkretëtirë për ujë të pijshëm

 
 
 
Sikur të mos mjaftonin temperaturat tejet të larta të stinës së verës, banorët e Tiranës po përballen dhe me mungesën e ujit. Situata është alarmante prej 10 ditësh. Por dje, gjendja është përkeqësuar edhe më tepër. Pjesa më e madhe e kryeqytetit me rreth 1 milionë banorë nuk ka patur ujë. Ndërkohë që për ditën e sotme Ujësjellës-Kanalizimet kanë njoftuar se pa ujë do të jenë edhe rreth 20 lagje të mëdha të Tiranës. Uji do të mungojë në zonën e Qendrës së Tiranës, Komuna e Parisit, Shkozë, Sauk, Kodra e Prifti, Dajt, etj. Thënë ndryshe, zonat që kanë numrin më të madh të banorëve do të jenë pa ujë. E gjitha kjo ndodh në një situatë ku temperaturat arrijnë deri në 40 gradë. Edhe në ato lagje ku Ujësjellës-Kanalizime thotë se ka ujë, në fakt ka vetëm me orar të reduktuar. Më saktë nuk ka fare ujë. Qytetarët janë detyruar të marrin bidona e legena dhe të zënë radhën për të mbushur ujë në çezmat publike gjatë natës, deri në orët e para të mëngjesit. Një pjesë e kateve të larta të pallateve nuk arrijnë të kenë ujë për shkak se edhe kur vjen uji, pompat nuk funksionojnë normalisht, sepse nuk ka energji. Kjo ka bërë që në pallate të hapen çezma publike në katet e para. Në zonat periferike të Tiranës gjendja është edhe më alarmante, pasi uji ka ditë që nuk shkon në rubineta, ku sheh fëmijë dhe gra me bidona në duar, apo në karroca dore dhe makina që shkojnë të mbushin ujë nëpër vende që nuk dihet nga e marrin. Të vetmit që janë të lumtur nga kjo thatësirë që ka kapur Tiranën janë kompanitë, të cilat tregtojnë ujin e pijshëm. Dhe kanë patur fitime kolosale këto ditë! Por veç ujit të pijshëm, njerëzit kanë nevojë për ujë dhe për higjienë e për larje. Ndaj banorët druhen edhe nga përhapja e ndonjë epidemie të mundshme. E gjithë kjo pamje ndodh në Tiranë në vitin 2015 dhe nuk është në zonat rurale ku ujësjellësit kanë vite që nuk funksionojnë. Për ironi, Shqipëria renditet në vendet e para në Europë për burimet hidrike.
Më acaruese sa temperaturat e larta dhe mungesa e ujit është “thatësira” e përgjigjeve që japin institucionet. Edhe pse ka më shumë se 10 ditë që njerëzit po ankohen për mungesën e ujit,  Ujësjellësi i Tiranës dje e gjeti fajtorin. Në një deklaratë për mediat, Ujësjellësi i Tiranës deklaroi se problemet me furnizimin me ujë të pijshëm vijnë për shkak të remontit që po kryen Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) në stacionin e Qafë-Mollës. Nga ky stacion furnizohen me energji pompat që çojnë ujë në pjesën më të madhe të kryeqytetit. Nga ana tjetër, OST-ja ka konfirmuar ndërhyrjet me sistemin energjetik, por ka dhënë garanci se linjat rezervë që furnizojnë ujësjellësin janë në punë në gjithë Tiranën. Madje nuk kanë munguar edhe replikat duke e hequr përgjegjësinë nga vetja dhe duke e lënë në derën e institucionit tjetër. “Nuk ka kufizime të energjisë për shkak të OST-së. Cilido që justifikohet me kufizime të energjisë elektrike për shkak të OST-së, abuzon”,- thuhet në reagimin e OST.
Por qytetarëve, më shumë se replikat në distancë, u intereson që në rubinetat e tyre të ketë ujë. Deri dje, e siç duket edhe për disa kohë të tjera, kjo gjë nuk do të jetë e mundur. Në një deklaratë të disa ditëve më parë, Ujësjellësi i Tiranës jepte si zgjidhje një ide “gjeniale”. Sipas tij, shkak i mungesës së ujit është thatësira dhe zgjidhja është që qytetarët të kursejnë ujin. Duket se përveçse kanë parë termometrin dhe parashikimin e motit, drejtuesit e Ujësjellësit nuk kanë bërë asgjë tjetër për t’i parapritë situatës.  Ministria e Transporteve, e cila është edhe struktura kryesore përgjegjëse për ujësjellësin duket se e ka mbledhur mendjen për këtë verë. Në një takim me donatorët e projekteve, Ministri Haxhinasto deklaroi se situata do të nisë të marrë zgjidhje me reforma në shtator. Pra, edhe gati dy muaj qytetarët kanë vetëm një mënyrë për të pasur ujë: T’i luten Zotit që të mos bëjë vapë dhe të bjerë shi. Deri në shtator, shteti është me pushime!
Por ndërsa kërkojnë që qytetarët të mos shpërdorojnë ujin, institucionet të paktën duhet të marrin masa për ata që janë shpërdoruesit më të mëdhenj. Në kulmin e mungesës së ujit, të vetmit që nuk ankohen janë lavazhet private të makinave. Janë këto biznese që këto ditë u bëjnë kashillëk qytetarëve dhe institucioneve që renditen si abuzuesit më të mëdhenj me ujin. E megjithatë, këtë problem Ministria nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë për ta zgjidhur.
Çështja e ujit të pijshëm nuk është një problem me të cilin banorët e Tiranës, por edhe gjithë vendi, ndeshen sot. Sistemi i ujësjellësave është më i degraduari në vend. Bëhet fjalë për impiante që nuk janë zëvendësuar prej më shumë se 30 vjetësh. Ndërkohë që popullsia e Tiranës është rritur frikshëm gjatë viteve të fundit, modeli i furnizimit me ujë, përveç disa ndërhyrjeve në rrjet gjatë viteve të fundit, ka mbetur po ai i periudhës së komunizmit.
Problemi tjetër ka të bëjë me financimin dhe mbledhjen e pagesës së shërbimit. Nëse sistemi energjetik deri disa muaj më parë ishte më problematiku, tani radhën e ka zënë sistemi i pagesës së ujësjellësit. Shumica e ujit vidhet ose nuk paguhet. Institucionet shtetërore janë në krye të listës për mospagesën. Ndërsa më pas, renditen bizneset dhe kompanitë private që kanë arritur ta marrin këtë shërbim me vlera qesharake. Zgjidhja e kësaj situate kërkon një reformë të thellë dhe të shpejtë, pasi është një sektor që duket se po degradon çdo ditë e më shumë.
Edhe sot pa ujë Tirana. Edhe nesër,pasnesër… e me sytë nga qielli ! 
 
Turp i madh se si kryeqyteti nuk ka ujë në vitin 2015, ndërkohë që ka plotë shpenzime për koncerte, mitingje, parulla, seminare, qejfe,…etj.

SHKARKO APP