Tiranë-Durrës me 8 korsi, nisin punimet për zgjerimin e autostradës
Për zgjerimin në 3 korsi hyrëse dhe 3 dalëse plus koristë e emergjencës, autostrada Tiranë-Durrës është përfshirë nga punimet. Autostrada Tiranë- Durrës, një prej arterieve kryesor të transportit për në kryeqytet, I është nënshtruar punimeve nga kthesa e Kamzës deri tek mbikalimi i Kasharit. Pa bllokuar kalimin aktual të automjeteve, zgjerimi konsiston në hapjen e një korsie të plotë 3,75 m dhe korsia e emergjencës 3 m.
”6 km e para përfshihen në 2 lote, janë 5 kompani që marrin pjesë në këtë aksion. Zgjerimi konsiston në një korsi shtesë për qarkullim dhe 1 korsi emergjence”, thotë për A2 CNN, Gëzim Noni, përgjegjës i menaxhimit të kontratave, ARRSH. Gjatë periudhës së punimeve nuk është parashikuar bllokimi i autostradës, por do të ketë kufizime të shpejtësisë së lëvizjes, me qëllim ruajtjen e sigurisë së ndërtimit dhe të udhëtarëve.
Zgjidhje nga kjo ndërhyrje do të marrë edhe rruga e vjetër ekzistuese, një shqetësim ndër vitet i shoferëve por dhe bizneseve. Nuk ka të bëjë me shpronësime pothuajse fare vetëm në një segment të vogël preken disa biznese të vegjël. Do bëhet dhe një ndërhyrje për përmirësimin e rrugës ekzistuese deri në shtresat e saj.
”Kostoja totale për zgjerimin e kësaj autostrade me një afat prej 20 muajsh do t’i kushtoj buxhetit të shtetit mbi 34 milionë euro. Në përfundim të punimeve shpejtësia e lejuar për automjetet do jetë 130 km\h”. Afati i përfundimeve është ofertuar 24 dhe 19 muaj, impenjimi është maksimal që të ecim sa më shpejt. Faza e parë e punimeve është parashikuar të përfundojë pas 2 viteve, por ARRSH shprehet se korsitë e reja do të jenë në dispozicion më shpejt.