Tiranë, kapet me shotgan poshtë sediljes së makinës

Gjergj Cukali (në foto)është shoqëruar në polici pasi poshtë sediljes së makinës ku udhëtonte është gjetur një shotgan. I njohur që në vitin 2004 për marrjen peng të Fatjon Demirlikës, për lirimin e të cilit u kërkuan 100 mijë euro Gjergj Cukali, njihet si “i forti i rrugës “Myslym Shyri”.

Ai është shoqëruar në polici së bashku me Klaudio Begaj 45 vjeç, i shpallur në kërkim për trafik, raporton Ora News. Ndalimi i personave, është kryer nga forcat Shqiponja, mbrëmjen e së martës 12 maj 2015, rreth orës 21:15 në rrugën “Ibrahim Rrugova” në kryeqytet. Sipas burimeve nga policia në momentin e ndalimit ata po lëviznin në mjetin Porsche me targa AA624I, në pronësi të Klaudio Begajt. Në sediljen e pasagjerit ku ishte ulur Gjergj Cukali, 36 vjeç iu gjet nje arme tip shotgan” Cukali nuk është një emër i panjohur për policinë. Në gusht 2012 u ndalua pasi ishte shpallur në kërkim për kërcënimin dhe dhunimin e një polici privat tre muaj më parë pranë Shkollës së Baletit në Tiranë.

Gjatë arrestimit, atij i është gjetur e sekuestruar edhe një pistoletë tip “Glock” me 17 fishekë, që e mbante në një çantë të vogël. Kush është Gjergj Cukali dhe historia e pengmarrjes Gjergj Cukali është një prej personazheve të njohur të botës kriminale të kryeqytetit, pasi ai së bashku me miqtë e tij Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij. Por plani i tyre dështoi, pasi u arrestuan në kohë nga Policia e Tiranës. Në korrik të vitit 2004, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pranë një karburanti, merret peng Fatjon Demirlika. Rrëmbyesit i kërkuan familjes së Demirlikës një shumë prej 100 mijë eurosh në këmbim të lirimit të të afërmit të tyre. Vendi i dorëzimit të parave ishte lënë në varrezat e Tufinës. Familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit. Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika.

Pak orë më vonë, falë një tjetër operacioni policor, u bë lirimi i pengut si dhe u arrestuan Gjergj Cukali, Florian Metalla, Ilir Kodumi e Eduard Skuka. Në përpjekje për të shpëtuar nga duart e policisë, banda e pengmarrësve vrau Endri Shimën, mik i ngushtë me pengun Fatjon Demirlika. Nga hetimet rezultoi se autori i vrasjes së Shimës ishte Durim Gurzi. Ky i fundit mundi t’u shpëtojë prangave, për t’u kapur tre vjet më vonë. 

SHKARKO APP