Tiranë, mbillen pisha për 42 ushtarët dëshmorë
Pas Parkut të Liqenit Artificial dhe atij të Farkës, edhe Parku i Liqenit të Vaqarrit po kthehet shpejt në një hapësirë të gjelbër dhe mushkëri e tretë për Tiranën. Edhe pse fushata e mbjelljeve është mbyllur prej pak ditësh, biznese dhe disa institucione shtetërore dhuruan 4 mijë pisha të zeza dhe të buta, të cilat u mbollën sot në Parkun e Vaqarrit.
Aksionit iu bashkua edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila kontribuoi në mbjelljen e pemëve në kujtim të 42 ushtarëve të rënë dëshmorë në misionet ushtarake. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministrja e Mbrotjes, Olta Xhaçka, u shprehën se t’i shërbesh qytetit është një detyrë qytetare për këdo, pavarësisht nëse je ushtarak apo njeri i thjeshtë.
“Jam shumë i lumtur sot që bashkë me Oltën, mikeshën time, bashkë me shumë trupa të ushtrisë, i dhamë fund një aksioni që, në fakt, më shumë se një aksion ushtarak, është një aksion qytetar. Pavarësisht çfarë angazhimesh kemi, dikush si ministër, dikush si komandant, dikush tjetër si ushtar, kemi të gjithë një detyrë: detyra e të qenit qytetarë. Të gjithë jemi thirrur sot në detyrën e qytetarit, me uniformë dhe pa uniformë, që t’i japim një ‘grand finale’ fushatës sonë së mbjelljes së pemëve”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

