Titujt e tokave bujqësore, Lame: Rishikojmë projektligjin me vërejtjet e Venecias
Komisioni i Venecias miratoi dje opinionin final edhe për sa i përket projektligjit të prezantuar në Kuvend nga Qeveria në lidhje me titujt e tokave bujqësore. Sipas opinionit te Komisionit, ligji ishte i paqartë në shumë nene, kryesisht në kompetencat e Qeverisë kundrejt tokave bujqësore. Mes vërejtjeve kryesore janë ato mbi sqarimin e statusit te të ashtuquajturave Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi.
Në Venecia për të ndjekur punimet e Komisionit, ishte dhe Drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, i cili tha se ligji do të rishikohet duke reflektuar vërejtjet e juristeve ndërkombëtarë, por nuk do të ndryshojë i gjithi. “Do të kalojë në komisione për t’u plotësuar, me faktin pozitiv që në maj ka hyrë në fuqi ligji për Kadastrën, që tregoi se sa gjëra rregulloi shkrirja e institucioneve”, tha Lame për ”A2Cnn”.
Ai shtoi se do të ketë edhe disa modifikime të tjera. “Do të preken edhe dy tre pika të tjera nga ligji i pronave, që nuk kanë të bëjnë fare me Venecian, pikërisht sepse duam të përfitojmë nga rasti që do t’i jepet dora e fundit ligjit”.