Tjetër incident, rrihet pjestari i stafit elektoral të Ardian Turkut

Shënohet një tjetër incident në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit.

Një nga pjestarët e stafit elektoral të Ardian Turkut, kandidatit të PD për bashkinë e Elbasanit, është rrahur nga disa persona duke i shkaktuar plagë në fytyrë dhe trup.

Vetë Ardian Turku e ka bërë publike ngjarjen në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku duke bërë përgjegjës për këtë kundërshtarin e tij politik Qazim Sejdini.

“Është një klimë aspak e qetë në Elbasan ku persona të panjohur kanë ushtruar presion ndaj stafit tim në disa raste. Por ekstreme ka qenë rrahja e një prej pjestarëve të stafit tim të ngushtë dhe unë po bëj një denoncim publik për të reaguar strukturat e shtetit”, tha Turku.

Ai shtoi se për ngjarjen ka njoftuar edhe Sjedinin por ai i ka thënë se nuk ka dijeni”.

Turku nga ana tjetër iu përgjigj edhe deklaratës së kryeministrit Rama sipas të cilit ai është njeri i mirë, por është për të ardhur keq se është me PD.

“Unë e kam nder që kam qenë jam dhe do të jem me PD dhe më vjen keq përse shqetësohet kryeministri”, tha Turku në reagimin e tij.

Nga ana tjetër Turku tregoi bidjen se do jetë ai fitues në garën për bashkinë e Elbasanit për shumë arsye por më e rëndësishme është se “modeli që unë kam krijuar kur dikur drejtoja bashkinë e Elbasanit ka qenë ai i demokracisë lokale, ndryshe si po qeveris sot Qazim Sejdini”, tha Turku.

SHKARKO APP