Tjetër laborator i shtohet ISHP-së, Manastirliu: Rriten kapacitetet testuese për Covid-19
Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot për vënien në punë të një tjetër laboratori që do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik për të shtuar kapacitetet testuese për Covid-19. Laboratori u tha se do të jetë në mbështetje të laboratorit qendror të ISHP-së.
“Me të gjitha parametrat e duhur, ky është një laborator i cili siguron jo vetëm gjithë standardet e sigurisë por ka edhe një staf të kualifikuar profesionistësh. Do të jetë një laborator mbështetës për laboratorin qendror, atë të viriologjisë të Institutit të Shëndetit Publik. Është një strukturë mbështetëse e ngritur posaçërisht për të siguruar më shumë lehtësi në kryerjen e testimeve në këtë moment të epidemisë”, tha gjatë një inspektimi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Muajin e fundit autoritetet pothuajse dyfishuan numrin e testeve me një mesatare nga 955 në 1,758 teste në ditë.
Ministrja i bëri apel qytetarëve, duke u bërë thirrje për të respektuar masat e vendosura. ”E gjithë lufta bëhet në terren bëhet për të kufizuar sa më shumë këtë virus që ai mos të përhapet dhe sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet, ndaj ne do të vijojmë të forcojmë dhe rrisim kapacitetet tona dhe nga ana tjetër i lutemi dhe i kërkojmë qytetarëve të bashkëpunojnë ashtu si kanë bashkëpunuar deri tani”.
Krahasuar me rajonin vendi mbetet me mesataren më të ulët (60,400 teste/1 milionë banorë) në raport me popullsinë. Prej fillimit të pandemisë në muajin mars, Shqipëria e cila ka një popullsi prej rreth 2.9 milionë banorës, ka kryer 175 mijë testime, ndërsa Kosova, e cila ka 1.8 milionë banorë, ka kryer rreth 135 mijë. Në Ballkanin Perëndimor për numër testimesh kryeson Serbia, e cila ka kryer mbi 1.6 milionë teste.