Tmerri i banesave në Kavajë, arrestohet 25-vjeçari. Policia i dokumenton 10 grabitje
Është arrestuar sot në Kavajë një 25-vjeçar i kthyer në një shqetësim për gjithë qytetin, pasi në vetëm 4 muaj kishte arritur të kryente plot 10 grabitje.
Shënjestra e tij ishin kryesisht banesat dhe biçikletat.
NJOFTIMI I PLOTE
Komisariati i Policisë Kavajë, nisur nga shqetësimet e qytetarëve në lidhje me vjedhjet e banesave dhe të biçikletave të ndodhura kohët e fundit në zonën e Kavajës, organizoi punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Si rezultat u kap në flagrancë duke tentuar të vjedhë një banesë, shtetasi B. B., 25 vjeç, banues në Peqin, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas është autor edhe i 10 rasteve të tjera të vjedhjeve të banesave dhe biçikletave, konkretisht:
-Më datë 18.09.2020, ka vjedhur një televizor në banesën e shtetasit M. H.;
-Më datë 16.09.2020, ka vjedhur një televizor në banesën e shtetasit A. M.;
-Më datë 13.09.2020, në Golem, Kavajë, ka vjedhur disa vegla pune elektrike në banesën e shtetasit R. H.;
-Më datë 30.08.2020, tek mali i Robit, në Golem, ka vjedhur një shumë parash dhe një telefon në banesën e shtetasit E. B.;
– Më datë 23.08.2020, në fshatin Qerret, ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit A. L.;
– Më datë 12.08.2020, në Malin e Robit, ka vjedhur 700 euro në banesën e shtetasit E. K. dhe 220.000 lekë të vjetra në banesën e shtetasit A. S.;
– Më datë 08.08.2020, tek Mali i Robit, Golem, ka vjedhur biçikletën e shtetasit L. V.;
– Më datë 31.07.2020, në Golem, tek Mali i Robit, ka vjedhur biçikletën e shtetasit S. C.;
-Më datë 07.05.2020, ka vjedhur me thyerje banesën e shtetasit S. Ç., ku ka marrë një televizor.;
Gjithashtu,këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një pistoletë çakmak.
Ndërkohë, vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin edhe të disa rasteve të tjera të vjedhjeve në të cilat mund të jetë i implikuar ky shtetas.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.