”Toka e premtuar”, si përdoren të rinjtë shqiptarë në Angli për kultivim hashashi. Trafikantët u paguajnë…
Duket se shqiptarët janë kthyer në ekspertë të vërtetë të kultivimit të hashashit, jo vetëm në vendin e tyre por edhe jashtë kufinjve. Një lloj i ri emigracioni po haset në këta katër vitet e fundit. Natyrisht i parregullt, por që garantohet me klering nga trafikantët e qenieve njerëzore. Një burim pranë Departamentit kundër Krimit të Organizuar citon në anonimitet se trafikantë emigrantësh dhe të drogës po bashkëveprojnë për të thithur krahë pune dhe të rinj besnikë e të betuar për të bërë medoemos para.
Të dhënat tregojnë se të rinjve që ëndërrojnë dhe aspirojnë largimin nga Shqipëria, në disa raste që janë nën vëzhgim dhe përgjim, dyshohet se u është garantuar udhëtimi “falas” drejt Britanisë së Madhe me vetëm një kusht: Për të shlyer detyrimin e udhëtimit ata duhet të punojnë për trafikantë shqiptarë ose jo në këtë vend.
Për muaj të tërë, ky lloj emigranti mbyllet me vullnetin e tij nëpër shtëpi, në të cilat kultivohet hashash me llampa eletrike dhe sipas sipërmarrjeve të organizuara. “Kemi të dhëna se adoleshentë apo të rinj, nga zona të varfra të vendit janë rekrutuar në këtë formë nga rrjete kriminale”, pohon burimi, sipas të cilit prej muajsh kushdo që riatdhesohet në kufi, intervistohet nga Policia Kufitare. Ende nuk është realizuar dëshmia e ndonjë të penduari që do të zbërthente këtë formë të krimit të organizuar dhe që vlerësohet në nivelet më të larta të palighshmërisë.
Udhëtimi drejt tokës së premtuar kryesisht në Britaninë e Madhe kryhet me kamionë dhe me dëshirën e individit, shton i njëjti burim policor. Sipas tij, në të gjitha rastet paratë e krimit dhe të drogës investohen në Shqipëri duke i futur ngarkesat e vlerave monetare në forma të sofistikuara, më e rëndomta ajo përmes tregtisë së automjeteve.
Si u largove nga Shqipëria?
Kjo është pyetja më standarde që Policia Kufitare u drejton të rinjve që në rastin më të keq, kapen në tentativë për t’u larguar. R.Dh. është i moshës 24 vjeç. Ai është nga një fshat i Hasit dhe banon në Bathore. I riu u deportua nga Franca dhe në vijim të hetimeve për kalim të paligjshëm të kufirit, oficerët ndoqën të njëjtin standard. Me shpresën se do të shkonin disi më afër trafikantëve. Por si edhe të tjerët, 24-vjeçari pretendoi se kamionistin që takoi në Francë e ndeshi krejt rastësisht dhe jo sipas ndonjë skeme të organizuar.
Por agjenti i policisë në Komisariatin e Rinasit këmbëngul se i riu rezulton i kategorisë “i deportuar”, kurse për herë të fundit ai e ka kaluar kufirin shqiptar nga Qafë-Prushi më datë 11 dhjetor 2020.
Agjenti: Përse u largove dhe ku do udhëtoje?
R.Dh: Po udhëtoja drejt Anglisë për shkaqe ekonomike, kisha si destinacion final Anglinë.
Agjenti: Çfarë linje ndoqe?
R.Dh: Nga Qafë-Prushi udhëtova drejt Kosovës, më pas në rrugë tokësore Maqedoni-Serbi-Hungari dhe më pas arrita në Belgjikë. Në Bruksel qëndrova rreth një javë, aty takova fare rastësisht një shtetas holandez që punonte si shofer kamioni. Më tha nëse më paguan 15 mijë paundë, unë të çoj ilegal në Angli. Ramë dakord dhe më datë 24 dhjetor u nisëm nga Belgjika drejt Anglisë, por sapo mbërritëm në Francë në Portin e Kalesë, aty na ndaloi policia franceze. Më mbajtën disa orë në polici dhe më pas më dërguan në një kamp refugjatësh. Më pas më deportuan.
Përse synohen të rinjtë shqiptarë?
Udhëtimi i paligjshëm drejt Britanisë së Madhe dyshohet se shkon nga 20 deri në 30 mijë paundë dhe ky është çmimi më i kripur për të rinjtë që u llogaritet jo vetëm fatura e udhëtimit por edhe qëndrimi dhe fjetja. Shumë familje nuk kanë asnjë mundësi reale ekonomike që të paguajnë. Por ata pajtohen me ofertën që sipas burimeve policore bëhet nga njerëz shumë të besuar dhe të afërt. “Adoleshentët dhe të rinjtë që synojnë Anglinë për të punuar në banesa ku mbillet hashash shpresojnë se do t’ia dalin mbanë dhe në të vërtetë ata e prekin vendin që ëndërrojnë.
Personat që i përfshijnë në kultivimin e drogës nuk janë të panjohur dhe as të rastësishëm, por bëhet fjalë për individë që jo vetëm dalin garantë, por që janë të bindur se në rastin më të keq, nëse ndodh diçka, ata nuk do të tradhëtohen”, thotë zyrtari i policisë shqiptare pranë Departamentit për Hetimin e Krimit të Oganizuar. Sipas të njëjtit burim, të rinjtë që pranojnë të ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm, pranojnë të punojnë falas derisa të shlyejnë borxhin ndaj trafikantit që hapi kuletën dhe pagoi dhe garantoi udhëtimin.
Kohët e fundit shtimi masiv i shqiptarëve që punojnë nëpër “fermat” e kanabisit në Angli, ka shqetësuar edhe autoritetet britanike. Media britanike citon policinë dhe autoritetet e drejtësisë, të cilat shprehen se shumica e shqiptarëve që përballen me ligjin për kultivim narkotikësh, daklarojnë se janë detyruar të punojnë si “kopshtarë” të drogës. Njëra prej këtyre mediave, Teesside (portali më i madh britanik me lajme lokale), ka publikuar verën e shkuar në një artikull emrat e shumë shqiptarëve si edhe deklarimet e tyre përpara drejtësisë. Sipas policisë, i riu tregon se në Angli nuk e priste askush dhe se ai do të provonte fatin, për një jetë më të mirë.
Marrë nga: GazetaSi