Tom Doshi: Spartak Braho, presion Durim Bamit në dhomat e izolimit

Deputeti Tom Doshi u paraqit sot në prokurori, ku pas daljes theksoi se nisi hetimi në themel i çështjes mbi akuzat që i janë ngritur më herët. Doshi u ndalua për dy ditë për kallzim të rremë mbi pretendimin e atentatit që ai pretendoi kohë më parë.  

Por deputeti i qarkut të Shkodrës,  Tom Doshi, i qëndroi pas daljes nga prokuroria edhe një herë pretendimeve të ngritura që në fillim.  -“Durim Bamit i është bërë presion në dhomat e izolimit nga Spartak Braho,” – u shpreh Doshi mbi dëshmitarin kyç të procesit të atentateve që u pretenduan nga deputeti në fjalë.

Më tej Doshi e konsideroi tërë procesin hetimor në ngarkim të tij, si të manipuluar. “Saimir Tahiri, Spartak Braho dhe Ilir Meta kanë bërë poshtërsi në këtë proces,” – u shpreh ndër të tjera deputeti Tom Doshi, i përjashtuar nga PS-ja.  

Deputeti Tom Doshi është paraqitur sot në Prokurori për të marrë të gjitha provat dhe dokumentet që kishte depozituar si fakte për tentativën e vrasjes së tij dhe kolegut, Mhill Fufi.

Doshi është paraqitur në ambientet e organit të akuzës në prani të avokatit të tij, Ferit Muça.

Doshi do të marrë dhe videon e dorëzuar, në të cilën është regjistruar momenti i ballafaqimit mes tij dhe Durim Bamit.  Pas një hetimi nga ana e prokurorisë, provat e paraqitura nga Doshi u quajtën të pavlefshme, dhe një sajesë. Por kësaj radhe, deputeti nuk është paraqitur si çdo të hënë para oficerit të policisë gjyqësore, për të mbajtur kontaktet, në kuadër të vendimit të dhënë nga organi i akuzës.

SHKARKO APP