Tomini: Virusi ka të njëjtin intensitet, izolimi guri i fundit për t’u lëvizur
Shefja e mbikëqyrjes në ISHP, Eugena Tomini, thotë se izolimi do të ishte guri i fundit për të lëvizur në kuadër të pandemisë Covid-19 në një kohë që sistemi shëndetësor është ende në kapacitet për të përballuar pacientët e shtruar.
Ajo risolli në vëmendje se në skenarët e ministrisë së shëndetësisë është futja në funksion e spitaleve rajonale për të përballuar çdo skenar të mundshëm. Sipas Tominit, hapja spitaleve rajonale do të bëhet në mënyrë graduale, ashtu siç ndodhi edhe me spitalet Covid 3 dhe Covid 4, teksa shtoi se ezaurimi i të gjithë shtretërve do të çojë në planin e veprimit për spitalet rajonale.
Shefja e mbikëqyrjes në ISHP, shpjegoi se nga studimet e kryera në botë tregojnë se transmetueshmëria e virusit në këtë moment është po aq intensiv sa në fillim.
”Në fazën e hershme të pandemisë elementi i karantinimit përgatiti strukturat shëndetësore dhe strukturat mbështetëse për të ndihmuar në përballimin e pandemisë, por izolimi do të jetë elementi i fundit i menduar, në një kohë që mund të zbatojmë masat e thjeshta për të minimizuar transmetimit e virusit”.