Tonin Marinaj i dorëson Gjokë Lulit, titullin “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe

Albert Vataj

Në ditëlindjen e tij të 75-të, Gjokë Luli, cicëroni i historisë lavdiplote të një treve traditash, zëri i zëshëm i Malësisë së Madhe, vlera dhe vepra njerëzore dhe kontributore e Kastratit dhe jo vetëm, është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për punën e tij si një qytetar bashkëkohor e me ndjenja të mëdha atdhedashurie. Studiues, publicist, botues e promovues, hartues tekste këngësh etj. me karakter historik, etno-kulturor, artistik etj. duke lartësuar kurdoherë trevën tonë Malësi e Madhe e më gjërë”.

Ky nderim është shumë më shumë se sa si një vlerësim dhe mirënjohje Gjokë Lulin, për atë që ai ka dhënë dhe ka bërë, për promovimin dhe përfaqësimin në mënyrën më të dinjitetshme të e vlerave të Malësisë.

Kryebashkiaku, Tonin Marinaj e konsideron privilegj, mundësinë që bashkia që ai përfaqëson, vjen në këtë ditë duke u lartësuar në përgjegjësi e detyrës, për të nderuar me “Qytetar Nderi” Gjokë Lulin, një personazh dhe personalitet i spikatur i Malësisë dhe traditave të saj të vyera, për një njeri të urtë dhe të devotshëm të saj. Marinaj ka shprehur vlerësime dhe konsiderata të veçanta zotit Luli, dhe e ka garantuar atë se bashkia që ai drejton e ka vlerësuar dhe trajtuar me konsideratë, atë me çfarë ai ka përfaqësuar veten dhe Malësinë, punën e palodhur që ai ka bërë, vlerat dhe veprën që ai ka vënë në themelet e kësaj tradite të shkëlqyer që është për çdo malësor nderim dhe përgjegjësi.

Isha i ftuar në këtë ditë të shënuar të mikut tim, Gjokë Luli, siç e kam pritur me shumë emocione këtë vlerësim të tij, anipse më ligështoi pak pamundësia për të qenë në këtë ditë kremte, për një njeri të cilin e njoh dhe e vlerësoj dhe shpreh bindjen se Malësia e Madhe i ka të shumtë emrat dhe vepra kontributore të saj, por Gjokë Luli është diçka ndryshe.

Tek ai do të gjesh në çdo kohë dhe rrethanë, pritjen e bujarshme për gjithkënd që i’a mësyn, është i mirë me të gjithë që shkojnë për të lexuar përmes tij dinjitetin dhe integritetin malësor. Gjokë Luli, është një enciklopedi e këtyre anëve, por përmbi të gjitha ai e ofron këtë shërbesë me një dashamirësi dhe përgjegjësi malësore dhe intelektuale, dinjitetshëm dhe fisnikërisht.

Ai është zëdhënësi i heshtjes së kohës dhe viteve, me të njëjtën forcë besimi dhe qëllimi. Çdo pyetje dhe interesim merr një përgjigje dhe çdo përgjigje e Gjokës merrte zë dhe shpirt prej tij, duke u bërë ngjarje, e cila shpërfaq imagjinataven, duke i dhënë kësaj kureshtie, për të mësuar për historinë dhe kulturën e Malësisë, këtij rrugëtimi njohës, statusin e një rijetësimi në kohë dhe njerëz të së kaluarës, e cila është e tashmja e përjetimit.

Me përkushtimin dhe devotshmërinë e një vullneti të denjë për besim që karakterizonte Gjokë Lulin, takimi me të është një ekspoze e gjithë asaj që është Malësia. Ai është i papërtuar dhe i pagabueshëm, një për një t’i shpalon emra dhe gojtaritë, ngjarje që u ngjitën në legjendë dhe heronj që zbritën nga malet si nga retë për të shkruar histori gjaku dhe qëndrese, për të enduar flamuj lavdie dhe shpalosur mishërim vlerash dhe virtytesh, sikurse për të parë dhe për tu magjepsur me eposin dhe bukurin e të njëjtit rrezatim, si të malsores ashtu edhe të xhubletës, kësaj pasurie shekullore që përfaqëson shpirtin e pasur dhe vlerat e pakrahasueshme të një tradite që u kthye në thesar.

Gjokë Luli u lind në Bajzë të Kastratit më 19 qershor të vitit 1949. Këto 75 vite ai i ka mbushur me lëndën e pasur të malsorit, me atë të kulluarën e këtyre maleve e të kthjellëtën e këtij qielli. Çdo pasion dhe përkushtim i tij është rritur e mëkuar prej atij shpirti deri në caqet e veprës, asaj të publikuar që pikas me librin “Kastrati”, një vepër e trajtesave shteruese të manifestimit njohës të kësaj zone në të gjithë rrafshet e saja, dhe asaj vepre në dorëshkrim. Krejt këtë ai e ka mëkuar me ngulmin dhe zemrën për të dhënë e për të thënë atë çfarë është e asaj rëndësie që kërkon përfaqësimi, mbrojtja dhe promovimi i atij amaneti që etërit kanë lënë brezave. Gjokë Luli e mban me përgjegjësi dhe krenari këtë barrë të rëndë të përmbushjes së atij besimin që për të dhe për çdo malësor është atribut i lartë.

Janë gjithë sa thamë për Gjokë Lulin ajo merita e këtij vlerësimi që kryebashkiaku, Tonin Marinaj i ka bërë një qytetari të devotshëm që lartësohet me “Qytetar Nderi” i Malsisë së Madhe, për t’iu nënshtruar përgjegjësisë për të qenë ende i ri dhe vital edhe pse me 75 vite në kurriz, për të vijuar të bëjë atë që ka bërë dhe mund të bëjë për Malësinë dhe malësoret, si një detyrë e shenjtë.

 

SHKARKO APP