Tonin Tërshana mes PD e PS për shtëpinë

 

Mes aksioneve pa fund, lajmeve për krim në familje, një lajm jo i zakontë theu rutinën e përditshmërisë shqiptare. Tonin Tërshana, një nga ikonat e muzikës së shqiptare, në moshën 66-vjeçare do të ketë një shtëpi të tijën. Artisti i njohur ka rreth 50 vjet në skenë. Ka fituar 4 çmime të para në festivale, ka marrë pjesë në 20 festivale dhe numëron me qindra këngë që mbajnë firmën e zërit të tij. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh". Në karrierën e tij ka marrë me dhjetëra vlerësime të tjera dhe mbështetjen e miliona shqiptarëve. Megjithatë, deri dje ishte pa shtëpi. Në çdo vend tjetër, një ikonë e tillë e muzikës sot do të kishte miliarda lekë, vetëm nga e drejta e autorit për këngët. Por ja që nuk kishte asnjë banesë modeste për të futur kokën më familjen e tij. Kjo situatë nuk ndodhi këto vite. Artisti i njohur kishte mbi 20 vjet që endej zyrave të Bashkisë së Tiranës për të përfituar një banesë sociale . Dhe si Tonin Tërshana ka edhe shumë artistë të tjerë që kanë dhënë  kontribut për kulturën kombëtare. Edhe ata duhen ndihmuar.

Të kthehemi tek thelbi i shkrimit;vetëm dje u bë e mundur nga Bashkia e Tiranës që artisti Tërshana të gëzonte një banesë. Çelësat e shtëpisë iu dhanë nga vetë kryetari  i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Vendimi i Bashkisë është mëse i vonuar, por jo për faj të kryetarit aktual të Bashkisë. Prej gati pesë vjetësh, banesat sociale u harruan nga Bashkia e Tiranës si një projekt që mund të zgjidhte dramën e strehimit për mijëra banorë në kryeqytet. Por ajo që çuditi dje ishte reagimi i Partisë Demokratike. Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, akuzoi drejtuesit aktualë të bashkisë për hipokrizi dhe tha se Tërshana e kishte përfituar prej kohësh banesën, por nuk i është dhënë nga Kryeministri Edi Rama. “I mirënjohuri Tonin Tërshana përfitoi banesën e shumëpritur prej kohësh, për shkak të bllokimit që Rama, shefi i Veliajt, u bëri këtyre banesave. Tonin Tershana ishte përfitues prej kohesh i kësaj banese, por Rama zgjodhi të mos t’ia japë”, u shpreh dje Bozdo.

Opozita është në të drejtën e saj të qëllojë me “gurë” çdo veprim të mazhorancës dhe institucioneve që drejtohen nga të majtët. Megjithatë, edhe në reagime duhet të ketë një moral. Fakti që Veliaj i dha dje shtëpinë një artisti të njohur, sigurisht që do përdorej dhe për marketing, edhe si një premtim i mbajtur për banesat sociale. Por jemi para faktit kur një zyrtar i lartë ka vënë në vend një të drejtë të mohuar prej vitesh. Ndërkohë që Partia Demokratike, për sa kohë drejtonte Bashkinë e Tiranës nuk mori mundimin as të sqaronte njerëzit se përse u bllokua procesi i banesave sociale, nëse është kështu siç thotë selia blu.

Figurat e artit janë përdorur shpesh nga politika për të rritur kuotat e tyre në publik. Këtë e kanë bërë jo vetëm kur ndihmojnë artin, por edhe atëherë kur nuk e ndihmojnë dot. Rasti i djeshëm i PD-së është më flagranti. Të zënë në befasi nga reagimi i opinionit dhe medias sesi PD-ja kishte lënë pa banesë një artist të njohur, ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Bozdo shpjegoi të “lante duart” duke thënë se nuk ishte faji i PD-së por i Ramës. 

As Basha kur ishte në detyrë dhe as Veliaj dje nuk nxorrën lekë nga xhepat e tyre për banesat që u dhuruan. Janë lekët e taksapaguesve të kryeqytetit  që bashkia i ka investuar në banesa sociale për familjet në nevojë. Ndryshimi është tek mënyra sesi ato po menaxhohen dhe shpërndahen. Bashkia e kohës së PD-së kishte mundësi ta zgjidhte këtë problem shumë kohë më parë dhe këtu nuk është fjala vetëm për një artist, por për qindra familje që dje u bënë me shtëpi.

Ndërkohë që Erion Veliaj u tregua praktik dhe filloi dhënien e këtyre banesave. Të mos harrojmë se bashkia e Tiranës është marrë që në vitin 2011 nga demokratët dhe deri në vitin 2013 ishte po PD-ja në pushtet. Pse nuk i dha asokohe ,pra pushteti i demokratëve?!

Ndaj do të ishte mirë që kur veprohet drejt, qoftë edhe nga kundërshtari politik, të thuhet një fjalë e mirë, sepse përherë me “gurë” mbi çatinë e përbashkët, të cilët janë qytetarët, nuk shkon si kauzë e bëhesh i pabesuar.

SHKARKO APP