Topollaj: Demokratët kanë nevojë për fitore
Nga Fabian Topollaj
Demokratët kanë nevojë për fitore. Përhapja e jashtëzakonshme dje e statuseve në facebook me krahasimin e audiencës së intervistës së Berishës përballë Ramës, ku i pari fitoi ndjeshëm, është një dëshmi e madhe e nevojës që kanë demokratët e vendit për fitore përballë kundërshtarëve të tyre.
Të mësuar me një superioritet të vazhdueshem dikur, ka vite që demokratët nuk ndjejnë shijen e fitores ndaj kundërshtarit jo vetëm në perballjet elektorale, por as në përfaqësimin politik dhe ballafaqimin moral, etik dhe verbal edhe pse ai ska asnjë merite për t’u pasur zili në këto drejtime.
Dhe përsëri këto kohët e fundit në zgjedhje fiton gjithmonë kundërshtari, në marrëveshje midis paleve sërish ai dhe sa herë ka kauza të mëdha me impakt publik kundërshtari i përmbush lëhtësisht të gjitha qëllimet e veta perverse, pavarësisht se ka kundër jo vetëm të drejtën dhe opinion publik, por në shumë raste edhe ligjin madje.
Protestat qytetare shuhen sapo mbërrijnë liderët e opozitës si në rastin e Kukësit, kauzat e mëdha paragjykohen sapo artikulohen nga selia e partive opozitare si me rastin e Teatrit, ndërsa përfaqësuesit e opozitës nuk kanë asnjë ndikim dhe lidhje me qytetarët e këtij vendi dhe problemet e tyre ekzistenciale.
Ps dhe pse e turpëruar me historikun e saj përsëri mban në krye Gramoz Rucin, ndërsa PD fshiu si me gomë historinë e saj antikomuniste dhe të arritjeve të mëdha qeverisëse duke flakur në rrugë Topallin, Patozin, Imamin, Boden dhe Bregun. PS e ka të mbushur me kriminelë grupin e saj parlamentar por përsëri ata janë me efikasë në aspektin elektoral se sa një grup anonimësh përballë. Qeverisja e PS prodhon skandale të përditshme, ndërsa opozita jo vetëm nuk përballet në parlament duke parë më shumë nga dera se sa nga foltorja e Kuvendit, por duket se kujdeset ta barazojë qeverinë duke konsumuar dhe më pas fshehur edhe skandale të llojit erotik që konsumohen nga përfaqësuesit e saj brenda sallës së parlamentit.
Demokratët kanë nevojë më shumë së kurrë për fitore, sepse më shumë së kurrë më parë ata ndihen humbës përballë kundërshtarit të tyre edhe pse ata janë superiorë në të gjitha drejtimet, kryesisht në aspektin moral. Dhe këtu nuk është fjala pse kundërshtari është në qeveri ndërsa Ne në opozitë. Demokratët kanë qënë shumë më krenarë dikur kur përballë kishin një qeverisje që i agresonte deri edhe me plumba, se sa sot që kane një kundërshtar që i miklon duke ju ngritur dhe dy gishtat, simbolin identifikues të tyre.
Në menyrë që fitoret e vërteta n demokratët të mos i presim më të na i sjellë përsëri Sali Berisha, edhe për shkak se ai i ka mbyllur betejat e veta, duhet menjëherë të identifikojmë arsyet e dështimit tonë periodike këtë periudhë dhe t’i korrigjojmë ato menjëherë. Ndryshe do duhet të përballojmë ndjesinë e dështimit përballë një kundershtari që është gjithmonë edhe më i dobët.
Personalisht mendoj se s’ka shumë të tilla, ka vetëm një arsye pse në demokratët jemi në këtë gjendje, pavarësisht se ajo për fat të keq është përcaktuese edhe sepse eshtë në krye. Dhe ç’ështe me e keqja duket se Arsyeja dështon qëllimisht dhe jo vetëm nga paaftësia. Një argument më tepër ky pse duhet zëvendesojmë menjëherë, me çdo kosto dhe pa me të voglën keqardhje.
KOHA JONË SONDAZH

