Torturoi dhe prostituoi kushërirën, 21 vjet burg për Mark Vathaj

 

I pandehuri sipas prokurorisë ka rrëmbyer kushërirën e tij ditën e vdekjes së të vëllait dhe më pas e ka shfrytëzuar si prostitutë në Lezhë, Itali dhe Zvicër. E dëmtuara thotë se ka abortuar 8 herë, ndërsa familjarët e saj kishin tërhequr më parë një denoncim ndaj Vathajt nga kërcënimet.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur një ngjarje të rëndë me protagonist shtetasin Mark Vathaj, për të cilin është kërkuar dënimi me 21 vite burg, pasi ka rrëmbyer dhe ka detyruar të prostituojë kushërirën ë tij. Ngjarjet kanë nisur në vitin 2013, kur Vathaj ka rrëmbyer të afërmen e tij ditën e vdekjes së të vëllait dhe nën presion e tortura e ka detyruar atë të prostituojë fillimisht në Shëngjin të Lezhës dhe më pas e ka dërguar në Itali dhe Zvicër ku gjithashtu e ka shfrytëzuar si prostitutë.

Familjarët e vajzës kishin denoncuar një herë në polici të dyshuarin, por janë detyruar të tërheqin denoncimin për shkak të presioneve dhe kërcënimeve për vrasje. Vajza e dëmtuar ka deklaruar në prokurori se është detyruar të abortojë 8 herë pasi mbetej shtatzënë nga marrëdhëniet e dhunshme me agresorin.

Sipas hetimit rezulon se i pandehuri e ka marrë me dhunë të dëmtuarën nga familja e saj në kohën që prindërit e vajzës kishin hapur dyert e mortit për vdekjen e djalit të tyre. “Mark Vathaj ka marrë kushërirën e tij me pretendimin për të kryer procedurat e çregjistrimit të vëllait të vdekur të të dëmtuarës, i cili kishte vdekur në rrethana të dyshimta dhe nga ai moment nuk e ka kthyer më në shtëpinë e saj për rreth 6 muaj”, thotë prokuroria.

Gjatë kësaj kohe, në vitet 2013 dhe 2014, i pandehuri me anën e forcës dhe kërcënimeve për vrasjen e familjarëve e ka shfrytëzuar të dëmtuarën për qëllime prostitucioni fillimisht në zonën e Shëngjinit ndërsa paratë i mbante të gjitha i pandehuri. Pasi kanë qëndruar për disa muaj në Shëngjin, i pandehuri gjithnjë nëpërmjet kërcënimeve e ka detyruar të dëmtuarën që të shkojnë së bashku në Itali, ku kanë qëndruar një muaj në një hotel të dorës së dytë.

“Gjatë kësaj periudhe e dëmtuara është detyruar të punojë çdo natë me klientë të ndryshëm, ku ka pasur raste që ka kryer deri në 8 raporte seksuale në natë”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Duke qenë se i pandehuri mendonte se mund të kishte më shumë të ardhura, ai ka detyruar të dëmtuarën që të niseshin drejt Zvicrës, ku kanë qëndruar në një shtëpi me qira në qytetin e Lucernës.

Këtu kanë qëndruar për rreth 2 muaj dhe vajza është detyruar të ushtrojë prostitucion pasi i pandehuri i kishte marrë dokumentet dhe nuk e linte të dilte nga shtëpia, si edhe e kërcënonte vazhdimisht me jetën e prindërve dhe familjarëve të saj. “Pas dy muajsh qëndrim në Zvicër, i pandehuri dhe e dëmtuara detyrohen të kthehen në Shqipëri, pasi gjatë një raporti seksual me dhunë ndërmjet të dyve e dëmtuara mbetet shtatëzënë.

Pas kthimit në Shqipëri, e dëmtuara detyrohet të abortojë dhe vijon e kërcënuar prej të akuzuarit të ushtrojë prostitucion”, thotë më tej prokuroria. Ajo u ka treguar familjarëve të saj, por i pandehuri i ka kërcënuar se nëse nuk e lejojnë vajzën e tyre ai do t’i vrasë të gjithë. “Familja e të dëmtuarës ka qenë gjatë gjithë kohës nën presionin dhe kërcënimin e tij, megjithatë e ëma e vajzës ka bërë kallëzim ndaj tij në vitin 2014.

Por të gjendur nën presionin e një hakmarrje të të akuzuarit, ajo është detyruar ta tërheqë kallëzimin për kanosje dhe i akuzuari pasi qëndroi një muaj në paraburgim doli sërish i lirë”, thotë prokuroria. E ndodhur nën presionin e Vathajt për t’u rikthyer sërish si prostitutë, vajza është detyruar të largohet nga shtëpia e saj dhe të qëndrojë në Fushë-Krujë. Pas disa javësh kërkimi, i pandehuri ka arritur të gjejë vendndodhjen e të dëmtuarës dhe pasi është konfliktuar me pronarin e ambientit privat nuk ka arritur ta marrë të dëmtuarën.

Vajza në momentin që i krijohet mundësia paraqitet në Drejtorinë e Policisë së Lezhës ku bën kallëzim për shtetasin Mark Vathaj. Pas regjistrimit të procedimit penal fillimisht nga Prokuroria e Lezhës dhe më tej në Prokurorinë për Krime të Rënda, i pandehuri arrestohet për akuzën e “trafikimit të personave të rritur, e shoqëruar me keqtrajtimin dhe detyrimin me dhunë fizike dhe e psiqike ndaj të demtuarit”.  “Gjatë gjykimit rezultoi e provuar se e dëmtuara veç të tjerave është detyruar të abortojë 8 herë për shkak të shtatëzënive me të akuzuarin, i cili kryente marrëdhënie seksuale me dhunë”, thotë prokuroria.

SHKARKO APP