Toska: Ne do të punojmë sëbashku që të ndryshojmë Bashkinë e Cërrikut

 

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Cërrikut , z. Altin Toska u takua me të rinjtë e qytetit të Cërrikut. I shoqëruar edhe nga koordinatori i LSI-së,  z. Dashamir Xhika, kandidati z. Toska vlerësoi forcën e rinisë, si një promotore e zhvillimit të vendit.

“Ne do të punojmë sëbashku që të ndryshojmë Bashkinë e Cërrikut dhe këtë do ta realizojmë me rininë tek të cilët kam gjetur dëshirën për të ndryshuar dhe për të ecur në drejtimin e duhur”, u shpreh z.Toska.

Në vijim të fjalës së tij, z. Toska prezantoi dhe programin e tij për hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë.

Kandidati i ASHE-së tha se në Cërrik do të promovohet arsimi profesional dhe në bashkëpunim edhe me qeverinë, por dhe me partnerët e huaj do të mbështeten iniciativat për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Do të ketë më shumë vende  pune për të rinjtë, bursa për nxënësit me rezultate të mira në mësime, Qendër  rinore, kinema dhe terrene sportive për t’u argëtuar. Këto nuk janë premtime elektorale, por janë projekte konkrete të cilat do të vihen në zbatim menjëherë me fillimin e detyrës si Kryetar i Bashkisë së Cërrikut. Dera e Bashkisë do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë të rinjtë të cilët dëshirojnë që të vënë në jetë idetë dhe projektet që ata kanë me qëllim zhvillimin e gjithanshëm të Bashkisë sonë”, u shpreh z. Toska.

Gjatë bashkëbisedimit, të rinjtë e të rejat që kishin mbushur auditorin shprehën mbështetjen e tyre ndaj kandidadit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska.

SHKARKO APP