Totozani: Jo “burg” për bizneset

 

Avokati i Popullit i ka kërkuar komisionit parlamentar të Ligjeve të rishikojë propozimin e qeverisë për ashpërsimin e penaliteteve për biznesin. Përmes një shkrese ky institucion deklaron se këto masa janë fatale për personat me të ardhura të ulta dhe propozon politika të reja sociale dhe jo ashpërsim të kodit penal.

Një ndër pikat për të cilat avokati ka rezerva është ai që parashikon burg deri në 3 vjet për moslëshim të kuponit.

Është një nismë që duhet diskutuar shoqëruar edhe me masa e politika të tjera, pasi ndryshe do të ishte e nxituar dhe e parakohëshme. Kjo pasi në vlerësimin tonë shteti duhet të ketë si kryefjalë të tijën jo vetëm ashpërsimin e politikës penale, por edhe identifikimin dhe zbatimin e politikave sociale, pasi në të kundërtën rrezikohet të krijohen situata ekonomike shumë të vështira për kategori të caktuara shtetasish”.

Në propozimet e qeverisë parashikohet edhe shufiqizimi i togfjalëshit “gjobë ose”, të parashikuar në paragrafin e parë të nenit 180.

Avokati i Popullit e ka konsideruar një ashpërsim të panevojshëm.

Në konsideratën tonë ky është një ashpërsim i panevojshëm duke mos i lënë asnjë mundësi gjykatës që në bazë të provave, rrezikshmërisë dhe dëmit të sjellë, të ketë mundësinë e zgjedhjes ndërmjet vendosjes së një gjobe, apo burgimit (në rastet me rrezikshmëri të lartë)”.

Avokati i Popullit gjithashtu kërkon rishikim edhe për nenin 15 të projektligjit, ku parashikohet dënim deri në 7 vjet për tatimorët që abuzojnë, duke hequr dënimin me gjobë.

Gjithashtu heqja e dënimit me gjobë për këtë vepër penale, në vlerësimin tonë nuk është në harmoni me arsyet e përmendura më sipër, si dhe nuk ka një përshkallëzim të dënimit në proporcion me dëmin e shkaktuar”.

Pas një analize të realizuar nga ky institucion në terren është konstatuar se aksioni anti-informalitet ka dëmtuar sidomos shtresat në nevojë.

“Me përfshirjen e këtyre dispozitave si vepra penale, nesër mund të gjendemi përpara faktit se një numër i lartë personash të varfër dhe që i përkasin grupeve vulnerabël do të gjenden në burgje, për të paguar dënimin e tyre për moslëshim fature tatimore apo mosdeklarim të punësuarish”.

Avokati i Popullit është institucioni i dytë pas Bankës Botërore, i cili ka apeluar për krijimin e programeve të veçanta për grupet vunerabël.

Duhet menduar paralelisht edhe ana sociale, hapje e vendeve të punës dhe rritja ekonomike.Nga ankesat që kemi administruar në institucionin tonë gjatë këtij, ku veprimet kundra informalitetit janë rritur, kemi evidentuar që një pjesë e mirë e personave që kryejnë veprimtari tregtare janë shtresa në nevojë”.

Propozimet Avokati i Popullit ja ka dërguar Komisionit të Ligjeve, të cilit i kërkon të ndërhyjë për të parandaluar miratimin e masave radikale që burgosin biznesin.

SHKARKO APP