Totozani- kryebashkiakëve: Përgatisni vendstrehime për të pastrehët

Përkeqësimi i kushteve atmosferike në vend ka detyruar Avokatin e Popullit të ripërsërisë thirrjen  ndaj drejtuesve vendorë për  marrjen e masave organizative në përgatitjen e vendstrehimeve provizore për grupe në nevojë emergjente, që kërkojnë ndihmë nga organet e pushtetit vendor me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre.

Totozani: “Referuar kushteve të vështira klimaterike dhe temperaturave të ulëta, me të cilat pritet të përballemi në ditët në vijim, veçanërisht në zonat malore, Avokati i Popullit e konsideron emergjente përgatitjen dhe dërgimin në vendstrehime provizore për atë kategori të popullsisë, të cilët realisht janë në pamundësi totale të sigurimit të një strehe të përshtatshme. Vetëm kështu do të parandalohen situatat që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre, veçanërisht të fëmijëve e të moshuarve.  Nuk mund të mos përmendim raste të cilat fatkeqësisht kanë çuar në humbje të jetëve njerëzore gjatë muajit dhjetor 2015”.

Avokati i Popullit,  Igli Totozani, u kujton Kryebashkiakëve se e kanë detyrim ligjor të tregojnë përkujdesje për çdo qytetar në territorin që administrojnë, e sidomos për më të vobektit e të pamundurit./Ora

SHKARKO APP