Totozani: Spitali i Ersekës, mungesë mjekësh, infrastrukturë të amortizuar

Avokati i Popullit, Igli Totozani, ishte dje në bashkinë e Ersekës së bashku me një grup ekspertësh të institucionit. Gjatë “Ditëve të Hapura”, një nisëm e Avokatit të Popullit, regjistrohen ankesat e qytetarëve mbi çështje dhe problematika të ndryshme, në raport me administratën shtetërore dhe shërbimet që atyre u garantohen me ligj, por në shumë raste u mohohen padrejtësisht.

Shqetësimet kryesore të banorëve të Ersekës gjatë takimit me Avokatin e Popullit, ishin mungesa e punësimit dhe strehimit. Në një bisedë që Totozani zhvilloi me kryetarin e bashkisë së Ersekës, Arben Malo, u ngrit edhe problematika e furnizimit të rregullt me ujë. Avokati I Popullit kërkoi më shumë angazhim e përpjekje nga administrata vendore për t’i qëndruar pranë qytetarëve, por edhe për shërbime korrekte në nevojat e tyre. Kryebashkiaku i Ersekës premtoi se do të punësojë 4 persona të verbër, në zbatim të ligjit për punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar, si dhe do të strehojë një familje rome.

Avokati i Popullit, Igli Totozani, bëri edhe një inspektim në spitalin e Ersekës, për të parë nga afër situatën e trajtimit të të sëmurëve. Ai konstatoi se në këtë spital mungojnë mjekët specialistë si, kardiolog, endokrinolog, neurolog. Për këtë arsye qytetarët detyrohen t’i drejtohen spitaleve të Korçës dhe Tiranës për pjesën më të madhe të problemeve të tyre shëndetësore. SipasTotozani, ndërhyrje emergjente duhen kryer edhe në infrastrukturën spitalore për shkak të amortizimit të pajisjeve dhe kushteve hotelerike për të shtruarit.

Për të gjitha këto shqetësime të banorëve të zonës, Totozani garantoi se do të njoftojë përmes rekomandimeve të posaçme, jo vetëm institucionet shtetërore përkatëse, por edhe Kuvendin e Shqipërisë. Totozani, së bashku me ekspertët e Avokatit të Popullit, po vijojnë sot inspektimet në terren në bashkinë e Leskovikut dhe atë të Përmetit.

SHKARKO APP