“Toyota Yaris”, Gjykata liron të pandehurit nga paraburgimi
Gjykata për Krimet e Rënda ka liruar nga qelitë e paraburgimit të pandehurit për çështjen e “Toyota Yaris”.
Togat e zeza ndryshuan masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Ndryshimi i masës erdhi si rezultat i përfundimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Konkretisht masa u lehtësua për të dyshuarit Alban Mollaymeri, Edi Lika dhe Klevi Cani, ndërsa Agim Ceka ishte liruar më herët.
Në 29 tetor, Gjykata për Krimet e Rënda ktheu për hetime të mëtejshme dosjen në ngarkim të të arrestuarve dhe te shpallurve në kërkim Alfred e Elvis Vladi, të akuzuar për sjelljen në Shqipëri të 3,4 milionë eurove me “Toyotat Yaris”.Gjykata refuzoi kërkesën e prokurorisë për kalimin e çështjes në gjyq.
Lidhur me këtë dosje, është marrë në pyetje dhe kreu i Partisë Demokrati, Lulzim Basha , ku është pyetur nga prokurori se si ka marrë ai informacionin për eurot që do të hynin në Shqipëri dhe kush ia kishte dhënë këtë informacion, pasi ai paralajmëroi në atë kohë kapjen e një sasie të madhe eurosh që vinin të fshehura në një makinë nga foltorja e Kuvendit.
Basha ka akuzuar si person i përfshirë në këtë çështje, Taulant Ballën, kreu i grupit parlamentar socialist.