Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri, i riu nga Prishtina u kap sapo mbërriti në Tiranë
Një 20-vjeçar nga Kosova ra në prangat e policisë së Tiranës pasi u kap duke transportuar armë zjarri. Lis Bekaj u kap në kuadër të operacionit të koduar “Transportuesi”. Ndaj të riut ishte marrë informacion për transportimin e armëve nga Kosova drejt Shqipërisë. 20-vjeçari duket se ka shfrytëzuar fundjavën për transportin e armëve pasi në pikën e kalimit kufitar të Morinës nuk kryhen kontrolle.
Njoftimi
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Transportuesi”.
Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, krehra e municion luftarak, një automjet dhe një aparat celular. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohej se kishte transportuar armë zjarri, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi”.
Si rezultat i tij, në afërsi të pallatit “Asllan Rusi”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi L. B., 20 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW”, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për ti shitur tek persona të tjerë. Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të 20-vjeçarit.
Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.