Trafik droge nga Siria drejt BE-së, SPAK: Grupi kriminal bënte çdo punë. I arrestuar 1 polic
Një grup i strukturuar kriminal i përbërë nga 21 anëtarë në total është shkatërruar ditën e sotme nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane, prokurorinë e Firences dhe Eurojust. Grupi merrej me trafik droge në formën e çokollatës dhe vepronin nga Siria, Turqi, Greqia Shqipëria, Italia dhe vendeve të tjera të BE-së. 20 prej tyre janë arrestuar, e ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Prokurori i çështjes Vladimir Mara ka dhënë detaje nga ky operacion, ndërsa ka bërë me dije se pjesëtarët e këtij grupi i kryenin të gjitha punët, që nga porositja, transporti dhe më pas shpërndarja drejt vendeve të BE. Prokurori tha se droga transportohej me kamion dhe ajo ishte e fshehur në vende specifike, që ishte shumë e vështirë për t’u kapur nga skaneri.
“Nga Siria, Turqia, Greqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia dhe vende të tjera të BE, janë dokumentuar episode të shumta nga Siria në Shqipëri, nga Turqia në Shqipëri, nga Shqipëria në Itali po ashtu edhe nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut dhe nga Shqipëria në Greqi. Janë evidentuar të gjithë pjesëtarët, gjithsej 21 anëtarë. 20 janë arrestuar, 1 në kërkim. Pjesë e grupit ka qenë edhe një punonjës policie, janë sekuestruar makina luksoze, shuma monetare, aparate celular, pajisje kompjuterike.
Të gjitha sekuestrimet e drogës janë kryer në Shqipëri dhe 3 raste kanë ndodhur në Maqedoni, në Greqi dhe Milano, të tre raste të ndjekura nga ana jonë. Të gjitha masat janë ekzekutuar në Shqipëri. Qoftë transportues, i shpërndarës në vendet e BE, por edhe i porositësve se nuk kanë pasur persona të tjerë në rol kryesor, dhe këta kanë qenë që bënin qoftë porositjen, qoftë transportin në vendet e BE-së. Trafikimi bëhej me kamion që transportonin mjetet të ligjshme, lënda narkotike futej në vende të kamionit që vështirë se kapeshin nga skanerat”,-tha Mara.