Trafik me sirianët, spiunë italianë në Vlorë po hetojnë skafistët

Mediat italiane informojnë se një grup pune i shërbimeve të inteligjencës italiane gjendet prej disa ditësh në Shqipëri ku po inspekton territorin përreth qytetit të Vlorës, identifikuar si pika kryesore e nisjes së skafistëve. Aktiviteti i tyre është koordinuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet shqiptare.

Qeveria italiane është e preokupuar për rreth 10 mijë emigrantë të bllokuar në kufirin grek e maqedonas, që shpresojnë në hapjen e kufirit në Shkup e aktualisht një vëmendje e veçantë po u kushtohet brigjeve shqiptare, si një rrugë e mundshme e nisjes së emigrantëve përmes Adriatikut.

Për të përditshmen “Messaggero”, kreu i Policisë kufitare, Irene Titoni ka deklaruar se nuk ka ende një alarm specifik në brigjet shqiptare edhe pse askush nuk mund të përcaktojë me siguri çfarë mund të ndodh në të ardhmen.

“Nuk kemi asnjë alarm por është e qartë se situata duhet monitoruar në mënyrëkonstante, për të qënë të pregatitur e për të evituar surpriza të shëmtuara”, ka thënë kreu i Policisë kufitare.

Prej fillimit të 2016, shkruan “Messaggero”, shërbimet e inteligjencës kanë informuar se organizata kriminale, kryesisht shqiptare, kanë blerë mjete lundruese të fabrikuara në Kinë e të disponueshme në internet me çmime mjaft të ulëta, nën hipotezën se rruga ballkanike mund të gjej një dalje përmes Adriatikut e pikërisht përmes brigjeve shqiptare.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka refuzuar faktin se Shqipëria do t’i hap kufijtë emigrantëve, pasi sipas tij Shqipëria nuk ka as infrastrukturë, as aftësi për të mikpritur fluksin e emigrantëve. Përgjigja e kryeministrit shqiptar, sqaron “Messagero” erdhi për të sqaruar zërat sipas të cilave emigrantët me prejardhje nga Siria do të mund të strehohen në Gjirokastër, në jug të Shqipërisë.

SHKARKO APP