Trafikantë me “gradë”, efektivët e policisë që u përfshinë në narkotrafik

Ndër vite segmente të caktuara të policisë së shtetit janë akuzuar për lidhje me krimin më së shumti me kultivimin dhe trafikun e drogës. Edhe në analizat e policisë së shtetit drejtori i përgjithshëm Gledis Nnano në çdonjërën prej tyre ka paralajmëruar goditje të atyre efektivëve të cilët bëhen palë më grupet kriminale ndërsa theksi i është vënë luftës ndaj narkotrafikut.

Gjatë këtij 10-vjecari, rreth 20 policë janë skeduar për lidhje me trafikantet ndërsa historitë e pasqyruara në media nisin që në vitin 2015 kur shefi i Burimeve Njerëzore në Policinë e Vlorës u akuzua se ndihmonte një grup trafikantësh qe transportonin hashash me aeroplan nga Vlora në Itali. Vladimir Zanaj u arrestua bashkë me 13 persona të tjerë në një operacion të përbashkët antidrogë nga policia italiane dhe ajo shqiptare.

Kultivuesit e 17 mijë rrënjëve në kolonjë ishin një hap para policisë në vitin 2016 për shkak të dekonspirimit nga punonjës me uniformë. Hetimi nxori se Oficeri i policisë së komisariatit Kolonjë, Edvin Meko, i shpallur në kërkim, lajmëronte kultivuesit nëse në zonë do të kishte operacione. Ish-nën komisari i Fierit, Festim Lelaj, pak kohë më parë u dënua me 17 vite burg për trafikimin e një sasie prej 2,5 tonë kanabis nga porti i Durrësit.

Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar la të pandryshuar masën e sigurisë për 18 persona nga 28 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Shpirti”. Nën akuzë për trafik droge, veç ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Vlorës, Ilirjan Balla, janë dhe dy truprojat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Agustin Deda e Hekuran Marku. Një muaj më parë për trafik droge në bashkëpunim me grupin “Habilaj” u dënua me 8 vite burg edhe ish-shefi kundër krimit të organizuar në Vlorë Gjergj Kohila. Pjesë e dosjes është dhe ish-shefi i stacionit policor në Dhërmi, Sokol Bode.

Në raportin më të fundit të publikuar një vit më parë EUROPOL e rendit Shqipërinë në krye të vendeve që eksportojnë kanabis drejt Bashkimit Europian. Raporti i policisë europiane vjen pas atij të Departamentit të Shtetit, i publikuar në mars 2021, i cili vinte në dukje se sundimi i dobët i ligjit dhe papunësia e lartë ka sjellë një kontroll të dobët të aktiviteteve kriminale, siç janë tregtia e drogës.

Marrë nga /A2cnn/

SHKARKO APP