Trafikonin makina të vjedhura nga Kosova drejt Shqipërisë, arrestohen 7 persona, mes tyre 3 policë
7 persona, mes tyre edhe 3 policë, janë arrestuar pasi kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal ku trafikonin makina të vjedhura nga Kosova drejt Shqipërisë. Në pranga ranë edhe punonjës të pikës Kufitare të Morinës. Të arrestuarit në bashkëpunim me njeri-tjetrin kishte krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
Në krye të këtij grupi ishte Selaudin Shahini, i dënuar edhe më parë, i cili ishte në rolin e drejtuesit, në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, ndërsa Ndricim Shahini (kushëri i Selaudinit), nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura në këtë shtet.
Trafikimi i këtyre mjeteve bëhej nëpërmjet Morinës dhe kalimin e tyre, e kryente Fatri Braha , me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin.
Gjatë operacionit të koduar “Nacional” u arrestuan:
– Selaudin Shahini, 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Ndricim Shahini , 24 vjeç, banues në Tiranë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Ervis Cara, (kushëri i Ndricimit), 24 vjeç, Aurel Shatri (shok i Ervisit) , 25 vjeç, të dy banues në Kamzë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Vojsava Doda 29 vjeçe, punonjëse Policie në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe Endi Ahmetaj , 24 vjeç, punonjës policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Fatri Braha , 38 vjeç, banues në Kukës, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.