Trafiku i arabëve/Lleshaj: Keqardhje që janë përfshirë drejtues policie
Një javë më parë, në dokumentarin ”Top Story” u prezantuan me dokumente dhe pamje filmike krerët më të lartë të Policisë kufitare të përfshirë në një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të arabëve dhe shtetasve të tjerë të Ligës Arabe. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme një strukturë direkte varësie e ministrit Lleshaj bëri të mundur arrestimin e zyrtarëve Enkeleda Toska, Altin Hasani, Besnik Zela dhe Albana Metko. Mesditën e kësaj të marte, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i është rikthyer sërish kësaj çështjeje, teksa tha se ditët e fundit është goditur një rrjet trafikimi emigrantësh të paligjshëm, rrjet i cili përfshinte në vetvete për fat të keq edhe punonjës të Policisë së Shtetit, madje drejtues të lartë të saj.
”Dua të theksoj që në krye të herës që lufta e Policisë së Shtetit për të goditur rastet e inkriminimit të radhëve të saj, dhe për forcimin e integritetit të gjithë punonjësve, mbetet prioritet i dorës së parë. Integriteti është formula e vetme që do të na çojë te suksesi dhe plotësimi i misionit të Policisë së Shtetit. Dua të them që emigracioni kohët e fundit ka njohur rritje ashtu si në gjithë Europën. Po bëhen vite që ka tendenca migratore, dhe fatkeqësisht të gjithë flukset migratore përfundojnë dhe shndërrohen në viktima trafikimi për arsye se rrjetet kriminale, të cilët përgjojnë flukset e trafikut, i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për t’i kthyer emigrantët në një pré për veprimtaritë kriminale. Ne po shohim që kjo veprimtari ka një përmasë, e cila meriton vëmendje të madhe nga të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme, duke përfshirë ata të kufirit, emigracionit, shtetësisë, qendrës së azilkërkimit dhe strukturave të tjera, që kanë përgjegjësi për ta kontrolluar, për ta menaxhuar, për ta frenuar këtë migracion të paligjshëm, por përpara së gjithash kanë përgjegjësi për të goditur veprimtaritë kriminale që lidhen me të dhe kryesisht trafikun”.
Lleshaj nuk e la me kaq deklaratën e tij, teksa sqaroi se për të hetuar policët e implikuar në krime, duhet të veprojë edhe Policia Kriminale, një shigjetim për ato struktura që kanë qenë në plogështi sidomos gjatë kohës së pandemisë përsa i përket luftës ndaj krimit. Pavarësisht deklaratës, Lleshaj harroi të kujtojë se ata u arrestuan, por Prokuroria i liroi, edhe pse provat ishin të pakundërshtueshme me dokumente dhe pamje filmike. /TCh/